Mali i Zi, protesta në mbështetje të Ukrainës

schedule22:15 - 27 Shkurt, 2022

schedule 22:15 - 27 Shkurt, 2022

Qytetarët malazezë dhe ukrainas protestuan në pasditen e së dielës, në sheshin qendror të Podgoricës, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për pavarësinë dhe lirinë e Ukrainës. Protestuesit dënuan pushtimin rus me pankartat që shkruanin “Lavdi Ukrainës”, “Stop luftës së Putinit” etj.

E ngarkuara me punë në ambasadën e Ukrainës në Mal të Zi, Natalija Fialka duke shprehur mirënjohje për miqtë malazezë dhe ukrainas që po dënojnë sulmin rus tha se Ukraina është e vendosur për ta fituar këtë luftë.

“Ukraina po lufton kundër agresionit të madh rus. Jemi të vendosur për të fituar dhe po e shihni që nuk po dorëzohemi. E gjithë bota është me ne dhe numri i ukrainasve që erdhën këtu për të na mbështetur së bashku me vëllezërit malazezë është dëshmi se ne kemi një mbështetje të madhe në këtë vend dhe në mbarë botën. Ata shpresuan se do të dorëzoheshim pas 24 orësh, por ne nuk po dorëzohemi. Tani ka filluar lufta e vërtetë shtetërore, sepse çdo qytetar i Ukrainës po lufton për atdheun e tij, dikush me armë e të tjerët me të gjitha mënyrat e mundshme,” tha zonja Fialka.

Protestuesit parakaluan nëpër rrugët e Podgoricës me flamujt e Ukrainës dhe të Malit të Zi.

Në këtë protestë në mes të tjerëve mori pjesë shumë intelektualë si dhe producenti dhe profesori i njohur malazez, Janko Lumoviq, i cili vuri në dukje se po merrte pjesë në këtë tubim sepse ishte e rëndësishme që Mali i Zi të mbështes Ukrainën, që është nën agresionin e paimagjinueshëm në shekullin e 21-të. /VOA