Mali i Zi mund të ndërtojë gardh me tela me gjemba në kufirin me Shqipërinë. Kjo do të bëhet vetëm në rast të një fluksi të madh të refugjatëve.
Mali i Zi, duke parë një rritje të numrit të migrantëve që kalojnë nëpër vend në një rrugë të re drejt Bashkimit Europian, po konsideron ndërtimin e një gardhi me tela me gjemba në kufirin me Shqipërinë për të frenuar rrjedhën. Kjo është bërë e ditur nga Shefi i Departamentit për kufirin shtetëror, Vojislav Dragoviç. Mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut janë duke provuar shansin për të arritur vendet më të pasura evropiane, pasi trafikantët krijuan një rrugë të re në Ballkan nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës për në Kroaci, vend anëtar i BE-së.
Bosnja tashmë po përballet me mijëra emigrantë të cilët u bllokuan pas një rruge përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, e cila u mbyll në 2016, kur Turqia ra dakord për të ndalur refugjatët në këmbim të ndihmës së BE-së dhe koncesioneve të tjera. “Në rastin e një fluksi më të madh të emigrantëve, ne mund të ngremë një gardh me tela në kufirin me Shqipërinë”, tha për televizionin shtetëror Dragovic.
Ai tha se autoritetet shqiptare shpesh kishin refuzuar të pranonin emigrantët që janë kthyer nga Mali i Zi nën marrëveshjen dypalëshe të ripranimit. Shumë vende në itenerarin e migrantëve kanë siguruar kufijtë e tyre me pengesa fizike. Hungaria vendosi një gardh me tela me gjemba në kufijtë e saj me Serbinë dhe Kroacinë gjatë krizës në 2015-ën, kur më shumë se një milion emigrantë pushtuna kufijtë e Evropës. /abcnews.al