Gazetari Fatos Mahmutaj ka komentuar debatin e krijuar rreth projektit në Zvërnec dhe protestave të zhvilluara në lidhje me të, duke u ndalur te reagimet që kanë ardhur nga Greqia.
I ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, Mahmutaj u shpreh se ndërhyrjet nga pala greke nuk lidhen me mbrojtjen e interesave të protestuesve apo të territorit shqiptar, por me përpjekjen për të përfituar politikisht nga situata.
Sipas Mahmutajt, reagimet nga Greqia duhen parë në kontekstin e përpjekjeve për të ndikuar në debatet që krijojnë tension në Shqipëri.
“Grekët ndërhyjë për të marrë meritat dhe për t’i hedhur benzinë zjarrit. Pra çdo ndërhyrje që vjen nga grekët është dashakeqësi e pastër ndaj shqiptarëve. Nuk kanë asnjë ide të mirë apo dashamirësi ndaj kauzave të protestuesve shqiptarë. Grekët nuk janë për të mbrojtur Shqipërinë, protestuesit, apo territorin e shqiptarëve. Thjesht po e bëjnë për t’i vjelë frytet të gjithë kësaj dashakeqësie. Grekët përpiqen të fitojnë nga të gjitha situatat e zhurmshme në Shqipëri, pra nuk ka rëndësi për çfarë është”, tha mes të tjerash ai.
/abcnews.al/


