Macron paralajmëron Iranin kundër “ndërhyrjes” në Liban

schedule21:58 - 12 Gusht, 2020

schedule 21:58 - 12 Gusht, 2020

Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi Iranin kundër çdo ndërhyrje në Liban, pas shpërthimit te javën se kaluar.

Gjatë një bisede telefonike me presidentin iranian, Hassan Rouhani, Macron theksoi “domosdoshmërinë për të shmangur çdo ndërhyrje nga jashtë dhe për të mbështetur vendosjen e një qeverie e cila mund të menaxhojë emergjencën”, njoftoi zyra e Macronit, raporton Reuters.

Qeveria e Libanit dha dorëheqjen këtë javë pas demonstratave që shpërthyen duke kërkuar llogari për shpërthimin në portin e Bejrutit, nga i cili mbetën të shkatërruara lagje të tëra të qytetit.

Irani ka një ndikim të madh në Liban, përmes grupit shiit Hezbollah, i cili ishte i përfaqësuar fuqishëm në qeverinë në largim, dhe ka një aleancë me fraksionin e presidentit libanez, Michel Aoun.

Shpërthimi më 4 gusht, i cili shkaktoi 171 viktima , sipas autoriteteve ndodhi në një depo të kimikateve, të cilat ishin ruajtur pa masa të sigurisë./abcnews.al