Presidenti amerikan Donald Trump pritet të marrë sot një informim nga komandanti i Komandës Qendrore, Admirali Brad Cooper, mbi planet e reja për veprime të mundshme ushtarake ndaj Iranit.
Sipas agjencisë së lajmeve Axios, informacioni sinjalizon se Trump po shqyrton seriozisht rifillimin e operacioneve të mëdha ushtarake në Iran.
Një nga planet e përgatitura përfshin një valë sulmesh të shkurtra dhe të fuqishme ndaj objektivave iraniane, përfshirë infrastrukturën, me synim detyrimin e vendit të rikthehet në negociata me më shumë fleksibilitet për çështjen bërthamore.
Një tjetër skenar parashikon marrjen nën kontroll të një pjese të Ngushticës së Hormuzit për të rihapur rrugët tregtare, operacion që mund të përfshijë edhe forca tokësore.
Gjithashtu, është diskutuar mundësia e një operacioni të forcave speciale për të siguruar rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit. Megjithatë, Trump e konsideron aktualisht bllokadën si mjetin kryesor të presionit, por nuk përjashton veprime ushtarake nëse Irani nuk tërhiqet.
SHBA gjithashtu po shqyrtojnë edhe rrezikun e kundërpërgjigjes ushtarake iraniane në rajon.
Lëvizjet e fundit vijnë ndërsa negociatat mes dy vendeve kanë ngecur. Trump i kishte lënë Iranit një afat të pacaktuar për t’iu përgjigjur bisedimeve, por një ditë më parë ai tha se kjo kohë nuk do të zgjasë për shumë gjatë.
Kjo ka bërë që çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare të arrijnë në nivelin më të lartë që nga viti 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën.
Nafta e papërpunuar Brent u rrit pothuajse me 7%, duke shkuar për një moment gjatë natës deri në 126 dollarë për fuçi, ndërsa edhe çmimet e energjisë janë rritur në ditët e fundit.


