TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, pritet të mbajë sot fjalimin e tij para asamblesë së përgjithshme të OKB. Ai do të konfirmojë para 193 vendeve anëtare angazhimin e Shqipërisë në bordin e paqes në Gaza, por edhe qëndrimin e Shqipërisë për dy shtete, në një moment delikat kur asambleja është e ndarë në qëndrimin me Izraelin.
Kryeministri shqiptar pritet të flasë dhe për vendimin tronditës të gjykatës speciale që dënoi me 81 vite burg 4 ish-drejtuesit e UÇK. Edhe në fjalimin me diasporën shqiptare në Michigan, Rama kundërshtoi vendimin që tha se varros për së gjalli luftëtarët e UÇK.
Avokati Edmond Petraj, i ftuar në “Tirana Live” u shpreh se do të nisin përpjekjet për zhbërjen e Dhomave të Specializuara. Ai theksoi se kryeministri Edi Rama, ka nisur betejën për të komunikuar me të gjithë botën, duke iu komunikuar atyre se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.
“Askush nuk e zhbën dot luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kam përshtypjen se do të fillojë zhbërja e Dhomës Speciale. Rama e ka filluar betejën, kjo sot është për të komunikuar me gjithë botën dhe po njofton Këshillin e Sigurimit, që kjo luftë ka qenë e drejtë. Rama e ka filluar përpjekjen dhe ai do jetë “flamurtari” që ka për të zhbërë Dhomat Speciale. Synon që t’i bindë që kjo gjykatë, me veprimet që bëri ishte e manipuluar dhe ka disa prova, që i ka marrë në Serbi. Për mendimin tim e konfirmon betejën për të zhbërë dhe për të mos lënë Kosovën në baltë. Kurse Albin Kurti nuk di të bëjë asgjë përveç protestave.”, tha ai.

