Emra të rinj për ekipin përfaqësues. Ky është premtimi i trajnerit, Kristian Panuçi, që foli edhe për miqësoren që do të luhet në mars si dhe për eleminimin e Italisë nga Botërori.
Trajnerin e kombëtares e kemi vërtet sportiv.
Kristian Panuçi ka jo vetëm një meritë, atë që po arrin rezultate dhe po e bën ekipin të luajë mirë, por edhe që po sillet me shqiptarët, si një njeri i shtëpisë.
Konferencat për shtyp janë mënyra e tij e preferuar për të komunikuar, dhe kështu bëri edhe tani, ku doli të fliste për planet e pranverës.
Çështja e parë, ajo e emrave të rinj që priten në skuadër, si dhe vlerësimi i të rinjve që janë afruar tashmë.
“Grumbullimin tjetër e kemi në mars, ku mund të thërras 2-3 lojtarë të tjerë, që do t’i shohim për kombëtaren. Kemi 5-6 emra për të parë dhe 6 muaj kohë për të përgatitur grupin me të cilin do të luajmë në Euro 2020. Emrat e lojtarëve nuk i them sepse janë të rinj dhe dua më parë t’i shikoj direkt. Gjithsesi, mund t’iu them se Ramadani që luan në Danimarkë do jetë pjesë e grupit. Përsa i përket atyre që kam afruar, Qaka është një talent që luan në Rumani dhe jam shumë i kënaqur që e kam gjetur. Ajdareviçit i duhet dhënë besim, por edhe ai ka cilësi, ndërsa Lilaj më pëlqeu shumë për mënyrën sesi punoi dhe është një djalë shumë interesant”.
Trajneri i Napolit, Sarri, e kalon edhe majtas Elseid Hysajn, kur ka dëmtime.
A do ta bënte diçka të ngjashme edhe Panuçi?
“Jo! E dimë që Hysaj mund të luajë edhe majtas, por kam besim absolut tek Aliji, Lenjani dhe Memolla. Uroj që Aliji të gjejë skuadër në janar sepse është një lojtar shumë i rëndësishëm për mua. Nëse do të kemi shumë dëmtime, mund të kaloj edhe Veselin majtas. Pra mund të bëjmë shumë kombinime. Hysaj mbetet aty ku është, nuk preket. Natyrisht, që postin duhet ta fitosh me zotësi, pasi në kombëtare nuk ka të paprekshëm”.
Trajneri i Shqipërisë përsëri ka qëlluar italian, dhe pak ditë më parë Italia e tij nuk arriti të kualifikohej për në Botëror.
Ç’mendon ai për këtë tragjedi kombëtare?
“Si italian më vjen shumë keq, por problemi i Italisë është më i madh sesa mendohet. Ne të futbollit, në këtë moment e kemi shumë të vështirë të punojmë në Itali, sepse njerëzit e zotë në Itali nuk e marrin shansin që meritojnë. Unë e kam provuar vetë se shpesh është e vështirë të punosh në Itali. Unë e quaj veten me fat që punoj në këtë federatë dhe me këtë president që më lënë të punoj dhe pastaj më gjykojnë. Problemi në Itali nuk është vetëm kombëtarja, por edhe Seria A, Lega Pro dhe fëmijët. Do të jetë rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë që Italia të kthehet protagoniste”.
Panuçi e quan shumë të rëndësishme miqësoren e marsit dhe thotë se çfarë kundërshtari kërkon.
“Kemi marrë një propozim për miqësore dhe unë nuk e kam pranuar, pasi dua një ndeshje serioze. Dua që të përgatitemi siç duhet dhe duam që të jemi përballë një skuadre të fortë, siç ishte Turqia. Do të flasim, do t’u dërgojmë ftesa 2-3 skuadrave që unë i kam në mendje. Emrat e skuadrave nuk ua them, por nëse doni ta dini, dua një skuadër të vazos së dytë”./abcnews.al