Llogaridhënia në Lezhë, Rama: Vetting-u nuk është fundi, vetëm fillimi

schedule21:41 - 7 Maj, 2018

schedule 21:41 - 7 Maj, 2018

Në ndalesën në Lezhë të turit të llogaridhënies publike, kryeministri Rama foli edhe për Vetting-un duke paralajmëruar gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar se do të vijë radha e të gjithëve. Para publikut lezhjan, Rama lajmëroi edhe nisjen e punës për disa segmente rrugore.

Nga Lezha, stacioni i radhës i turit të llogaridhënies publike, kryeministri Edi Rama lëshoi akuza për gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë, sipas tij, në skandalin e tjetërsimit të pronave tek Rana e Hedhun. 

“Sepse këtu në Lezhë ka një çështje të hapur për prona, por në atë çështje të hapur, nuk janë vetëm të cilët ata që akuzohen, por në atë çështje të hapur janë edhe gjykatës edhe prokurorë që kanë marrë pjesë në ato krime, se gjithë ato prona janë bërë në bashkëpunim me gjykatësit, nuk janë bërë vetëm”.

Rama tha se për këtë kategori procesi i Vetting-ut nuk është fundi, por vetëm fillimi.

“Se dëgjoj ca njerëz që thonë, “po pse mo ky ishte Vetting-u që ca ikin vetë, ca të tjerë i largojnë dhe këta marrin lekë edhe jetojnë jetën”? S’është ashtu fare. Procesi i Vetting-ut është për të pastruar sistemin. Atë sistem, i pastruar dhe me gjykatës dhe prokurorë me integritet. Do merret me të gjithë, nga më i gjati e deri te më i shkurtri”.

Kryeministri paralajmëroi nisjen punës për ndërtimin e disa rrugëve, mes të cilave edhe Rruga e Arbrit.

“Ne do të fillojmë këtë vit, brenda Gushtit, Shtatorit, rrugën Milot – Balldren, rruga e standardeve ndërkombëtare. Do fillojmë rrugën Thumanë – Kashar. Për pak javë unë shpresoj brenda Majit do fillojë kantieri i Rrugës së Arbrit”.

Duke folur për rrugët Rama rikujtoi afatin 60-ditor të marrë nga qeveria për të propozuar një tarifë të re për banorët e Kukësit në Rrugën e Kombit. Sqarimin e shoqëroi edhe me një ndjesë.

“E vërteta është që tarifa ashtu siç ishte, ishte e papërballueshme dhe do të lëmë pastaj një periudhë kohe deri në muajin Shtator vetëm për të informuar. Sigurisht në atë rast ne gabuam. Ama, nuk e di nëse kujtesa ju sjell ndonjë qeveri, apo kryeministër tjetër që t’ju ketë thënë gabuam ndjesë. Aty ku e kemi ne problemin, e kemi ne problemin,. Aty e kemi gabimin , e kemi ne gabimin. Askush nuk është i pagabueshëm”.

Kreu i qeverisë mohoi pretendimet për rritje taksash. 

“E vërteta është që taksat për 97% të njerëzve të këtij janë ulur. Dhe qeveria jonë ka rritur vetëm taksën. Ka rritur taksën për kompanitë e mëdha dhe taksën e karburantit. Këto dy taksa kemi rritur ne”.

Aktivitetit vijoi me përballjen e kryeministrit me pyetje të bëra nga të pranishmit./abcnews.al