LIVE/ Dita e 14-të e sulmit, Zelensky: Nuk do të dorëzohemi dhe nuk do të humbasim

schedule21:15 - 9 Mars, 2022

schedule 21:15 - 9 Mars, 2022

Çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit?

Sot është dita e 14-të e pushtimit rus të Ukrainës. Dje, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbajti një fjalim të paprecedentë para deputetëve britanikë, duke thënë: “Nuk do të dorëzohemi, nuk do të humbasim”.

Këtu janë zhvillimet më të fundit:

-Rusia thotë se do të ndalojë të shtënat në pesë qytete të Ukrainës në orën 07:00 GMT për të lehtësuar korridoret humanitare. Këto do të jenë në Kiev, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol;

-Të paktën 5,000 njerëz arritën të largohen nga qyteti verilindor i Sumy të martën, duke përfshirë 1,700 studentë të huaj;

-Megjithatë, Ukraina thotë se përpjekjet për evakuim dështuan në qytetin port jugor të Mariupolit, sepse granatimet ruse vazhduan. Moska e mohon këtë;

-Presidenti Zelenskyy mbajti një fjalim të fuqishëm në Dhomën e Komunave dhe përsëriti thirrjen e tij të dëshpëruar për një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë;

-Më vonë, gruaja e tij Olena Zelenska ndau një letër emocionuese për situatën në Ukrainë. Ajo tha: “Janë disa dhjetëra fëmijë që nuk e kanë njohur kurrë paqen në jetë”;

-Ushtria e Polonisë që i ofroi avionët e saj Forcave Ajrore të SHBA-së, sipas Pentagonit është “e papranueshme”, mes shqetësimeve për një zonë të ndaluar fluturimi.

-Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të heqë gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit 2022;

-Presidenti i SHBA Joe Biden konfirmoi një lëvizje të ngjashme, duke thënë se një ndalim i plotë i importeve të naftës dhe gazit rus do t’i japë një “goditje të fuqishme” Moskës;

-McDonald’s mbyll 850 restorante në Rusi si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës, ndërsa Starbucks dhe Coca-Cola Company ndalojnë operacionet.

21:22-‘Zemra ime rrjedh gjak”, Klitschko: Putin duhet ndalur tani

Ish-kampioni i botës në boks, Vladimir Klitschko i cili ëhstë dhe vëllai i kryebashkakut të Kievit, ka reaguar pas sulmeve të tmerrshme ruse mbi një spital fëmijësh mbi Mariupol. Përmes një postimi në twitter, Klitschko shkruan se “zemra e tij po rrjedh gjak” pas bombardimit të një materniteti në Mariupol të mërkurën. “Zemra ime po rrjedh gjak. Shikoni këto imazhe atje, rezultati konkret dhe real i operacioneve speciale të Putinit, si të thuash. Kur ai ua merr jetën këtyre engjëjve, ai vret prindërit, gjyshërit e tyre dhe shkatërron shtëpitë dhe shkollat ​​e tyre”, tha Klitschko.

21:01-“I vramë në mal, sapo vodha në market”, publikohen përgjimet e ushtarëve rusë me familjarët e tyre

Një profil i verifikuar në platformën Twitter me emrin “Ukraine”, ka publikuar disa biseda të përgjuara të ushtarëve rusë në Ukrainë me familjarët e tyre në Rusi. Në këto biseda, ushtarët rusë rrëfejnë me qetësi për krimet e kryera në Ukrainë, duke filluar nga ato më barbaret e deri te vjedhjet e gjërave të rëndomta, transmeton Gazeta Express. “Këto janë biseda të vërteta të përgjuara: Ushtarët rusë në Ukrainë thërrasin të afërmet e tyre në Rusi për t’u treguar se si po shkojnë gjërat. Përfshihen plaçkitje dhe krime lufte. Ju lutem, shpërndajeni! Bota duhet ta dijë të vërtetën se çfarë po bëjnë ata njerëzve dhe shtëpive tona”, thuhet në mbishkrimin e faqes.

20:41-Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Rusët kanë vrarë dhe plagosur njerëz të pafajshëm

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se “pushtimi i paprovokuar i Ukrainës” i Putinit “ka vrarë dhe plagosur tashmë njerëz të pafajshëm” dhe ka detyruar më shumë se 1.5 milion njerëz të “iknin nga vendi i tyre”. Deklarata e Austin erdhi gjatë një takimi dypalësh me Ministrin e Mbrojtjes të Finlandës Antti Kaikkonen në Pentagon të mërkurën. “Vendimi i qeverisë suaj për të dërguar ndihmë sigurisht që do të ndihmojë popullin e guximshëm të Ukrainës, dhe unë e di se ata janë mirënjohës për këtë,” tha Austin.

20:33-Zelensky: Putin po luan blofin për armët nukleare, s’mund të bëjë vetëvrasje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se kërcënimet e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin me armë nukleare janë vetëm blof. Sipas Zelenskyt, Putin vepron në këtë mënyra pasi asgjë tjetër nuk po i funksionon. “Mendoj se kërcënimet me armë nukleare janë blof. Është një gjë të jesh vrasës dhe një tjetër të bësh vetëvrasje”, ka thënë Zelensky sot në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit”.

19:27-Kanë impakt shkatërrues, Rusia e pranon që ka përdorur armë termobarike në Ukrainë

Ministria ruse e mbrojtjes ka pranuar përdorimin e sistemit të armëve TOS-1A në Ukrainë. Ky sistem shfrytëzon fuqinë e raketave termobarike. Kjo do të thotë se bëhet fjalë për një kombinim të një sistemi të shumëfishtë rakete lëshimi me predha termobarike për të krijuar efekte ndezëse dhe shpërthimi. Këto lloj armësh mund të shkaktojnë nivele tronditëse të shkatërrimit.

18:20-Erdogan pret në pallat Presidentin e Izraelit

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan e ka pritur të mërkurën Presidentin e Izraelit Isaac Hezog me ceremoni të veçantë. Erdogan vitin e kaluar, sipas Jerusalem Post, i kishte telefonuar Herzogut për ta uruar për zgjedhjen në postin e Presidentit ndërsa kishte bërë thirrje për përmirësim raportesh me këtë shtet disa herë të tjera. Tensionet mes Izraelit dhe Turqisë kishin filluar në vitin 2008 ,kur Kryeministri i Izraelit Ehud Olmert, kishte takuar Erdoganin dhe disa ditë më pasë kishte nisur një operacion në Gaza

17:18-Lufta në Ukrainë, Putin bisedë telefonike me kancelarin gjerman, çfarë u fol

Presidenti rus, Vladimir Putin, diskutoi sot nëpërmjet një lidhjeje telefonike me kancelarin gjerman, Oalf Szholz, çështjen e luftës në Ukrainë.  Mësohet se fokusi i telefonatës kanë qenë përpjekjet diplomatike për përfundimin e armiqësisë midis Ukrainës dhe Rusisë si dhe krijimin e korridoreve humanitare, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

17:07-Sulmi rus në spitalin e fëmijëve, dalim pamjet nga rrënojat

Qyteti port i Mariupolit u godit pak më herët nga një sulm ajror rus. Këtë herë shënjestra e sulmit rus në Mariupl ishte spitali i fëmijëve, i cili pas bombardimit rus u shkatërrua, ndërsa shumë fëmijë janë ende nën rrënoja.

16:52-SHBA vendosi embargon, kryeministri holandez: BE e ka të pamundur të heqë dorë nga afta e gazi rus

Bashkimi Evropian e ka të pamundur që të ndërpresë furnizmin me gaz dhe naftë ruse tërësisht. Është ky paralajmërimi që ka bërë kryeministri holandez Mark Rutte. “Ne duhet të diskutojmë dobësitë tona në lidhje me varësinë tonë nga nafta ruse dhe gazi rus. Nuk do të kërkoj që të ndërpritet furnizimi jonë me naftë dhe gaz sot nga Rusia,” tha Rutte në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij francez në Paris. Blloku ka nevojë për furnizimin rus, theksoi Rutte, duke e cilësuar atë që sapo kishte pohuar një të “vërtetë të pakëndshme.”

17:47-VIDEO EKSKLUZIVE/ ABC siguron pamjet nga bombardimet në spitalin e fëmijëve në Mariupol

Gazetari i Abc Taulant Kopliku i cili ndodhet në Ukrainë ka sjellë pamje ekskluzive nga bombardimet ruse në Mariupol, ku shihen  pasojat e rënda mbi spitalin e fëmijëve. Siç shihet dhe nga pamjet para spitalit është hapur një krater i madh, ndërsa brenda ambienteve gjithçka duket e shkatërruar. Nga pamjet e sjella nga gazetari Kopliku vihet re agresioni rus dhe dëmet e mëdha që vijnë nga bombardimet, ku nuk përjashtohen dhe qendrat shëndetësore apo spilarët e fëmijëve, gjë që tregon se lufta po shkatërron çdo gjë.

16:40-“Ka fëmijë nën rrënoja”, Zelensky reagon pas bombardimeve ruse në spitali: Ndaloni vrasjet tani, bëhuni njerëz

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka reaguar në lidhje me bombardimin e spitalit të fëmijëve nga ushtria ruse në Mariupol të Ukrainës. Ai thotë se fëmijët janë bllokuar nën rrënojat e spitalit, duke shpërndarë një video tronditëse që ilustron shkallën e shkatërrimit.

16:36- Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë

Gjermania thotë se nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë, pasi SHBA refuzoi ofertën e Polonisë për të transferuar avionët MiG-29 të prodhimit rus në Ukrainë nëpërmjet një baze amerikane në Gjermani. Kancelari Olaf Scholz thotë se Gjermania ka “siguruar të gjitha llojet e materialeve të mbrojtjes” duke përfshirë armët, por ai thotë se “padyshim që avionët luftarakë nuk janë pjesë e kësaj”. Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar, zyrtarët thonë se “nuk është e pranueshme” që pilotët dhe avionët e NATO-s të rrëzojnë aeroplanët rusë.

16:29-Të paktën 1200 civilë të vrarë në Mariupol që nga fillimi i luftës

Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit thotë se të paktën 1200 ukrainas janë vrarë nga bombardimet ruse që nga fillimi i bombardimeve 14 ditë më parë. Megjithatë numri real i vdekjeve ka të ngjarë të jetë “tre ose katër herë më shumë” sesa vlerësim i fundit, shkruan Skynews. “Dje, ne kishim konfirmuar 1,207 viktima të vrarë nga bombardimet”, tha nënkryetari i bashkisë së Mariupolit.

16:07-Rusët bombardojnë spitalin e fëmijëve në Ukrainë

Një maternitetin në qytetin e Mariupolit është shkatërruar plotësisht nga bombardimet ruse, sipas këshillit të qytetit. “Forcat pushtuese ruse kanë hedhur disa bomba në spitalin e fëmijëve. Shkatërrimi është kolosal”, thanë zyrtarët.

15:51-Me raste bombardohen nga Rusia, këto janë 6 korridoret humanitare të krijuara për civilët në Ukrainë

Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për armëpushime të përkohshme në gjashtë qytete ditën e sotme. Marrëveshja është bërë në mënyrë që t’u jepet mundësia civilëve që të largohen nga qytetet ku po luftohet, por sipas raportimeve, Rusia nuk e ka mbajtur gjithmonë fjalën. Në hartën e publikuar më poshtë mund të shihni të ilustrura korridoret humanitare që janë hapur për ditën e sotme.

15:39Franca do të strehojë 10,000 refugjatë ukrainas

Franca po përgatitet të strehojë 10,000 refugjatët e parë nga Ukraina, sipas një njoftimi të zëdhënësit të qeverisë franceze Gabriel Attal, shkruan CNN. Këshilli kombëtar i mbrojtjes ka miratuar një platformë për të përgatitur dhe koordinuar mbërritjen e refugjatëve ukrainas në Francë, shtoi ai. Të martën, ministrja franceze  Marlene Schiappa tha se 5000 ukrainas kanë mbërritur tashmë në Francë.

15:31- ABC mbyll misionin në Ukrainë, gazetari: Kievin e lashë të shkretuar, po e mbrojnë 40 mijë ushtarë

ABC ishte sot në kufirin Ukrainë-Hungari. Gazetari Taulant Kopliku dhe operatori Ardian Kamberi mbyllën kështu mision e tyre të vështirë në Ukrainë, duke u futur edhe në frontin e luftës, ku përballeshin rusët dhe ushtarët vendas.

Në një raportim nga kufiri me Hungarinë, gazetari vuri në dukje radhën e gjatë kilometrike të automjeteve me qytetarë që kërkojnë të ikin sa më parë nga vendi i tyre, për t’i shpëtuar luftës. Ata që ikin janë kryesisht gra, të moshuar dhe fëmijë, pasi burrat preferojnë të qëndrojnë për të mbrojtur Ukrainën nga pushtuesi.

“Janë të gjithë qytetarë ukrainas që po largohet të frikësuar nga luftimet dhe ashpërsimi i agresionit. Kërkojnë të lënë sa më parë vendin. Janë radhë të gjata kilometrike të makinave. Janë edhe autobusë rreh 30 që unë i kam numëruar. Janë kryesisht nga zonat e konfliktit.

Destinacioni i tyre është të largohen sa më parë. shumica duan të qëndrojnë në vendet pranë Ukrainës, kryesisht në Poloni dhe Hungari. Ka shumë fëmijë dhe gra. Në këta të larguar mungojnë meshkujt. Shumica preferojnë të qëndrojnë në endnin e tyre”, tha gazetari.

Kopliku tha se Kievin e la thuajse të boshatisur dhe shkretuar. Kryeqyteti ukrainas është tashmë në duart e ushtrisë. Janë rreth 40 mijë trupa të angazhuar për të mbrojtur Kievin.

15:29 – Pezullohet evakuimi i civilëve në disa qytete të Ukrainës

Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një armëpushim që pritet të zgjasë 12-orë në gjashtë qytete në Ukrainë, për të lejuar evakuimin e civilëve, shkruan BBC.

Në Izyum, një zyrtar rajonal tha se evakuimi i civilëve “është pezulluar për shkak të sulmeve ruse”. Ndërsa në Mariupol, në jug-lindje Rusia vazhdon të bllokojë përpjekjet për evakuimin e civilëve dhe dërgimin e ndihmave humanitare, sipas ministrit të Jashtëm të Ukrainës.

15:19-Forcat ruse shumë pranë kryeqytetit, orkestra ukrainase spektakël në Kiev

Në kohën kur forcat ruse po përparojnë në drejtim të kryeqytetit të Ukrainës, një grup artistësh nga Kievi interpretojnë  himnin kombëtar ukrainas.

Mediat e huaja bëjnë me dije se orkestra Simfonike Kiiv-Klasike luajti sot para një turme të vogël në sheshin qendror Maidan të Kievit, të cilët duartrokitën kur mbaroi himni kombëtar dhe një grua thirri: “Për Ukrainën!”

15:17 – Trupat ruse hyjnë në Skadovsk, i bëjnë thirrje kryebashkiakut të ndalin protestat

Trupat ruse kanë hyrë në Skadovsk në rajonin e Kherson dhe i kanë bërë thirrje kryetarit të bashkisë që të mos mbajë mitingje pro Ukrainës, shkruan Ukrinform

Kryebashkiaku i Skadovsk, Oleksandr Yakovliev tha se forcat ruse kanë kontrolluar dokumentet dhe më pas kanë “shëtitur” nëpër zyrat e godinës administrative dhe kanë bllokuar sistemet kompjuterike.

Është e qartë se kjo gjendje është e vështirë. Ne të gjithë besojmë se Skadovsk është Ukraina. Por tani jemi të rrethuar nga ushtarë me armë, të cilët po na vendosin kushte të tilla”.

15:06 – Ministri britanik: Dronët turq po i dërrmojnë rusë në Ukrainë, por po u bëhet pak reklamë

Ministri i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe deklaroi se ushtria që ai drejton e ka furnizuar deri më tani Ukrainën me më shumë se 3 600 sisteme anti-tank NLAË. Ben Ëallace tha se ia kanë dhënë Ukrainës këtë ndihmë me kushtin që armët të mos përdoren jashtë kufijve të vendit.

“Ne konsiderojmë ndihmë për vetëmbrojtje çdo armë që përdoret brenda territorit të Ukrainës”, tha ai para mediave britanike.

Wallace tha gjithashtu se dronët turq po i shkaktonin dëme të mëdha forcave ruse në Ukrainë, por atyre “i bëhej pak reklamë për shkak të kërkesës nga qeveria turke”.

14:55 – Dalin shifrat, 957 ukrainas kanë marrë viza britanikeDalin shifrat, 957 ukrainas kanë marrë viza britanike

Downing Street tha se Britania e Madhe u ka dhënë 957 ukrainasve viza, të cilët ikin nga vendi i tyre për shkak të luftës. “Shifra e fundit që pashë ishte 957”, tha sot zëdhënësi zyrtar i Kryeministrit.

Ky numër po rritet ngadalë, pavarësisht kritikave të përhapura për reagimin e Britanisë së Madhe ndaj krizës në Ukrainë, ku lufta ka shpërthyer prej 14 ditësh.

Dje, Home Office njoftoi se do të hapte një qendër të përpunimit të vizave “pop-up” në Lille, Francë, për refugjatët ukrainas që ikin nga konflikti.

14:26 Tmerri i avionëve dhe helikopterëve, Britania e Madhe furnizon Ukrainën me raketat e famshme

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, ka njoftuar se Mbretëria e Bashkuar po rrit furnizimin e saj me armë në Ukrainë, në mënyrë që vendi të mbrohet nga sulmet ruse, që kanë nisur që prej 24 shkurtit.
Deri më tani Britania i ka dorëzuar Ukrainës 2000 raketa antitank NLAW (Armët e Lehta Anti-tank të Gjeneratës së ardhshme). Wallace u tha deputetëve se numri po rritej në 3,615 raketa antitank, shkruan BBC.

Përveç kësaj, Wallace tha se Mbretëria e Bashkuar po furnizonte gjithashtu Ukrainën me një ngarkesë të vogël të armëve antitank Javelin dhe po shqyrtonte mundësinë e dërgimit të raketave Starstreak, të cilat konsiderohen si më të mirat sa i përket sistemeve raketore anti-ajrore me rreze të shkurtër.

14:25-Termocentrali i Çernobiliti rrezikon të çlirojë substanca të rrezikshme radiokative

Ndërprerja e energjisë elektrike në termocentralin e Çernobolit, për shkak të luftimeve Rusi-Ukrainë ka ngritur shqetësime për rrezikun e rrjedhjes së substancave radioaktive në atmosferë.

Sipas kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore, termocentralit të Çernobilit i duhet energji elektrike për të ftohur karburantin bërthamor.

Nëse karburanti bërthamor nxehet atëherë ka rrezik që të çlirohen në atmosferë substanca toksike radioaktive

14:06- “Ata janë shumë pranë paqes, por me dhimbje për Ukrainën”: A po mbaron lufta? Izraelitët zbulojnë detajet

“Putini ka vendosur pistoletën në tavolinë dhe tani pret përgjigjen e Zelenskyt”. Kështu është komentuar shkrimi i Jerusalem Post në lidhje me negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë për dhënien e një zgjidhjeje ndaj luftës.

“JPost” raporton duke iu referuar burimeve diplomatike se palët janë drejt një marrëveshjeje, e cila “mund të jetë e dhimbshme për Ukrainën”, pasi sipas saj, “tashmë Zelensky nuk mund të marrë më shumë nga sa kishte në tavolinë para luftës”.

Gazeta izraelite shkruan sipas burimeve nga stafi i kryeministrit Naftali Bennett , i cili vizitoi Rusinë pak më parë, se Putini i ka thënë “stop” për momentin ushtrisë së tij duke pritur përgjigjen e Zelensky-t ndaj tre kushteve të Rusisë.

Lexo KËTU shkrimin e plotë

13:56- Ukraina thirrje Rusisë për armëpushim për të rikthyer energjinë elektrike në Çernobil

Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka i bërë thirrje Rusisë për një armëpushim për të lejuar kryerjen e riparimeve për të rivendosur furnizimin me energji elektrike në termocentralin bërthamor të Çernobilit.

Operatori shtetëror energjetik i Ukrainës më herët tha se forcat ruse kanë shkëputur termocentralin bërthamor nga rrjeti, raportoi Reuters. Energoatom, kompania shtetërore bërthamore e Ukrainës, paralajmëroi se situata mund të çojë në çlirimin e substancave radioaktive nga uzina.

13:48-BE sanksionon bankën qendrore të Bjellorusisë

Bashkimi Evropian ka deklaruar se sanksionet e reja kundër Rusisë përfshijnë edhe ndalimin e transaksioneve me bankën qendrore të Bjellorusisë.

Flitet për kufizim të hyrjeve financiare nga Bjellorusia në BE, duke ndaluar pranimin e depozitave mbi 100 mijë euro nga shtetasit ose rezidentët bjellorusë.

Komisioni i BE-së tha se sanksionet e faj synojnë gjithashtu 14 oligarkë rusë dhe biznesmenë të shquar që kanë lidhje të ngushta me qeverinë e Putin. Skynews shkruan se biznesmenët rus të sanksionuar kanë aktivitet kryesisht në industrinë e metalurgjisë, bujqësisë, farmaceutikës dhe telekomunikacionit.

13:36- Nesër takimi i ministrave të jashtëm rus dhe ukrainas në Antalja, reagon Erdogani

Për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ministrat e jashtëm të dy vendeve kanë rënë dakord të takohen për bisedime, të cilat do të zhvillohen nesër në Turqi, shkruan BBC

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shpreson se takimi në resortin jugor të Antalias do të “hapë rrugën për një armëpushim të përhershëm”. Ndërkohë presidenti rus ka thënë se do të ndjekë qëllimet e tij qoftë përmes negociatave apo veprimeve ushtarake.

Turqia është anëtare e NATO-s, por Erdogan është përpjekur të mbajë një qëndrim ndryshe nga vendet perëndimore për pushtimin rus. Ndërsa ai tha se Turqia nuk e pranonte atë që po ndodhte me ukrainasit, sanksionet sipas tij u shndërruan në një gjueti shtrigash kundër popullit rus, letërsisë, studentëve dhe artistëve.

Ai veçoi Filarmoninë e Mynihut për shkarkimin e dirigjentit të njohur dhe mbështetësit të Putinit, Valery Gergiev, duke e quajtur këtë veprim qesharak.

13:25-Termocentrali i Çernobiliti rrezikon të çlirojë substanca të rrezikshme radiokative

Ndërprerja e energjisë elektrike në termocentralin e Çernobolit, për shkak të luftimeve Rusi-Ukrainë ka ngritur shqetësime për rrezikun e rrjedhjes së substancave radioaktive në atmosferë.

Sipas kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore, termocentralit të Çernobilit i duhet energji elektrike për të ftohur karburantin bërthamor.

13:08- Lufta në Ukrainë shton rrezikun për rritje të abuzimeve seksuale te gratë dhe vajzat

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rrezikun e shtimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe të shfrytëzimeve dhe abuzimeve seksuale, ndërsa qindra mijëra njerëz largohen nga Ukraina për një vend në të sigurt, larg konfliktit që ka nisur që prej 14 ditëve.

Në një raport të situatës mbi ndikimin humanitar të pushtimit rus në Ukrainë, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se rreziqet për abuzimet seksuale dhe dhunën me bazë gjinore ishin të larta “pasi shumica e njerëzve në lëvizje janë gra dhe fëmijë”.

“Sfidat e vazhdueshme në aksesin në produktet dhe shërbimet bazë dhe mungesa e aksesit në strehimore të sigurta ka lënë gratë dhe vajzat jashtëzakonisht të cenueshme ndaj abuzimit, shfrytëzimit dhe dhunës,” shkruhet në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

13:08-Rusia: Duam sa më shpejt të jetë e mundur takim me Ukrainën

Rusia dëshiron të mbajë bisedime me Ukrainën “sa më shpejt të jetë e mundur, kjo varet nga vullneti i Kievit”.

Këtë e deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Peskov i cituar nga TASS, duke shtuar megjithatë se republikat e Donetskut dhe Luganskut janë “shtete sovrane dhe të pavarura” dhe se Kievi duhet t’i njohë ato si të tilla.

Në konferencën e zakonshme ditore për zhvillimet e luftës në Ukrainë, Kremlini tha se Shtetet e Bashkuara kanë nisur një “luftë ekonomike” kundër Rusisë.
“Moska është e interesuar të mbajë një raund të ri negociatash me Kievin sa më shpejt që të jetë e mundur, sapo pala ukrainase të jetë gati”. Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i cituar nga TASS.

12:29 – Lufta, 9 të vrarë mes tyre 3 fëmijë nga sulmet ajrore në Zhytomyr

Nëntë persona, duke përfshirë tre fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore ruse në rajonin e Zhytomyr gjatë 24 orëve të fundit, shkruan Ukrinform

“Gjatë 24 orëve të fundit, nëntë persona janë vrarë nga sulmet ajrore në rajonin Zhytomyr: katër ushtarë dhe pesë civilë.

Dy foshnja dhe një i mitur janë në mesin e 5 civëleve të vrarë,” kreu i Administratës Ushtarake Zhytomyr Vitaliy.

12:14-Bllokohet jahti luksoz në brigjet italiane, besohet se është i Putinit

Nga portet e Detit të Veriut të Gjermanisë deri në Rivierën Franceze, po shënjestrohen mjetet luksoze të lundrimit. Në të gjithë Evropën, autoritetet po gjurmojnë jahte luksoze të lidhura me oligarkët rusë në përpjekje për t’i shkaktuar probleme aleatëve të Presidentit Vladimir Putin.

Në Marina di Carrara, një qytet i vogël italian në bregdetin toskan, një nga superjahtet më të mëdha, më të reja dhe më të shtrenjta në botë, i quajtur Scheherazade është nën vëzhgim nga policia italiane.

Sipas New York Times , ai është një nga jahtet më të mëdhenj dhe më të shtrenjtë në botë. Anija luksoze quhet “ Scheherazade” dhe është nën vëzhgimin e policisë italiane. Kostoja e tij llogaritet në 700 milionë dollarë. Gjatësia e tij arrin 140 metra dhe ka dy kuvertë helikopterësh.

11:54-BE, paketë të re sanksionesh, goditen 100 rusë

Qeveritë e Bashkimit Evropian po përgatisin një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Paketa e re përfshin ndalim të udhëtimit dhe ngrirjes së aseteve për rreth 100 rusë. Një vendim për sanksionet e reja do të merret gjatë ditës së sotme, tha kryediplomati i BE-së.

“Shtetet anëtare po punojnë për një paketë sanksionesh, rreth 100 persona përgjegjës në nivele të ndryshme të qeverisjes,” tha Josep Borrell në Parlamentin Evropian në Strasburg.

Ai shtoi se shpreson për marrëveshje “deri në fund të kësaj seance të sotme”, pa dhënë më shumë detaje.

11:41- OKB: Ka ardhur koha që të ndihmojmë refugjatët në kufi

Mediat kanë raportuar histori të shumta të refugjatëve ukrainas të cilët po largohen nga agresioni rus në kërkim të një strehe të sigurt në vendet fqinje, shkruan BBC

Kreu i agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNHCR, tha se fokusi duhet të jetë ndihma e refugjatëve në kufi. Gjatë një konferencë për shtyp në Stokholm, komisioneri i lartë i UNHCR-së, Filippo Grandi tha se “tani ka ardhur koha që të përpiqemi të ndihmojmë refugjatët në kufi”, në vend që të diskutojmë se si dhe ku do të shkojnë këta refugjatë.

Ai vuri në dukje se Moldavia, e cila nuk është anëtare e BE-së dhe është në kufi me Ukrainën, pritet të ketë një fluks më të madh refugjatësh. Grandi shtoi se numri i refugjatëve që janë larguar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës ka shkuar në 2.2 milionë.

11:27- Çmimi i naftës “fluturon”, udhëheqësit arabë “nuk i ngrenë telefonin” Biden

Princi i kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman  dhe Sheikh i Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed bin Al Nahyan kanë refuzuar të dy një kërkesë të SHBA për bisedime me presidentin amerikan Joe Biden në një përpjekje për të gjetur një “medalje të artë”, në një kohë kur Putini po vazhdon të bombardojë Ukrainën .

“Shtëpia e Bardhë ka dështuar të sigurojë telefonata nga presidenti amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit de fakto të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa Shtetet e Bashkuara kërkojnë të frenojnë rritjen e çmimeve të naftës.”, thanë zyrtarët e Lindjes së Mesme dhe SHBA-së, sipas një artikulli të Wall Street Journal.

Marrëdhëniet e Riadit me Uashingtonin janë përkeqësuar që kur administrata Biden mori frenat, me Arabinë Saudite që kërkon më shumë mbështetje nga SHBA për ndërhyrjen e saj në luftën civile të Jemenit, si dhe imunitet ligjor për Princin Mohammed në Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët sauditë.

11:15- Po prisnin radhën për një copë bukë, vrasja e ukrainasve nga rusët konsiderohet krim lufte

Sulmi i ukrainasve nga rusët teksa prisnin në radhë për bukë mund të konsiderohet krim lufte.

Një sulm ajror që thuhet se vrau civilë ukrainas, teksa prisnin në radhë për bukë në qytetin Chernihiv mund të konsiderohet krim lufte, shkruan The Guardian duke cituara “Amnesty International”.

Rreth orës 12:15 në 3 mars një shesh u godit nga bombardime të shumta, duke vrarë civilë dhe duke dëmtuar ndërtesa të shumta. Sipas një hetimi nga OJQ-të është përfunduar se sulmi ka të ngjarë të ketë qenë sulm ajror rus që përdori të paktën 8 bomba ajrore të njohura ndryshe si “bomba memece.”

11:00- Nis çmontimi i ekonomisë ruse, farmacitë vuajnë për barna

Mungesa e insulinës dhe ilaçeve të tjera të diabetit të prodhuara nga jashtë po ndihet tashmë në farmacitë ruse, sipas një raporti të gazetës Kommersant sot, duke cituar mungesën e lëndëve të para në mjekësi.

Shërbimi Federal i Farmakovigjilencës i Rusisë (Roszdravnadzor) dhe Shoqata e Farmacive ia atribuojnë mungesën e insulinës rritjes së shpejtë të kërkesës nga konsumatorët rusë, duke vënë në dukje se shumica e ilaçeve diabetike prodhohen në Rusi dhe nuk ka asnjë arsye për botimin e artikullit në Kommersant. Pacientët e intervistuar nga mediat ruse, nga ana e tyre, shpjegojnë se kjo rritje e jashtëzakonshme e kërkesës vjen për faktin se pjesa tjetër e barnave të përdorura nga diabetikët prodhohen jashtë vendit dhe për rrjedhojë, në pritje të mungesës apo inflacionit të lartë, blejnë me kujdes.

Megjithëse sanksionet perëndimore nuk synojnë industrinë farmaceutike, Kommersant parashikon se kompanitë ruse ka të ngjarë të gjejnë veten pa lëndë të parë të importuar.

10:52- Ambasadori ukrainas: Raketat kundërajrore nuk mjaftojnë për tu mbrojtur nga armiku, na duhet kontroll i qiellit

Ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar, Vadym Prystaiko, bën thirrje për raketa kundërajrore, për të mbrojtur vendin nga sulmet ruse.

Në një intervistë për Skynews, ambasadori ukrainas, thotë se vendi i tij ka nevojë për kontroll të hapësirës ajrore dhe se armët anti-ajrore nuk mjaftojnë për të garantuar sigurinë e vendit nga sulmet ruse.

10:47- SHBA, arrihet marrëveshja e madhe për Ukrainën

Udhëheqësit e Kongresit të SHBA arrijnë marrëveshje dypartiake për 13.6 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe aleatët evropianë. Udhëheqësit e Kongresit në SHBA arritën një marrëveshje dypartiake herët këtë mëngjes për të siguruar 13.6 miliardë dollarë për të ndihmuar Ukrainën dhe aleatët evropianë, raporton Associated Press.

Presidenti Joe Biden fillimisht kërkoi 10 miliardë dollarë për ndihmë ushtarake, humanitare dhe ekonomike, por mbështetja nga të dyja palët ishte aq e fortë sa shifra u rrit në 12 miliardë dollarë të hënën dhe 13.6 miliardë dollarë dje.

“Ne do t’i mbështesim ata kundër tiranisë, shtypjes, akteve të dhunshme të nënshtrimit,” tha Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Udhëheqësit e partive shpresojnë të marrin masën prej 2741 faqesh përmes Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit deri në fund të javës, por koha e kësaj të fundit mbetet e paqartë.

10:44- Ukraina po errësohet, NASA nxjerr imazhet e fundit

Imazhet nga NASA tregojnë se si dritat në pjesët urbane të Ukrainës janë fikur që nga pushtimi i vendit. Ky imazh nga NASA është marrë më 7 shkurt 2022. Aty tregohet se si dukej Ukraina natën e rreth një muaj më parë dhe përpara se Rusia të pushtonte më 24 shkurt.

Tani, vetëm një sasi e vogël e ndriçuar mund të shihet – por shumica e burimeve të dritës gjatë natës janë fikur.Ne mund të shohim gjithashtu ndikimin e luftës në qytete dhe rajone të shumta të Ukrainës.

Kyiv është në krye të këtyre imazheve.

10:37- Kush janë çeçenët dhe pse ata po luftojnë betejën e Putinit?

Mediat ruse kanë transmetuar pamje të shumta që tregojnë praninë e ushtarëve  çeçenë në Ukrainë. Sipas raportimeve, fotot e postuara gjerësisht në mediat sociale po përdoren si një luftë psikologjike kundër ukrainasve.

Ekspertët besojnë se përhapja e lajmeve në lidhje me ushtarët çeçene është pjesë e një përpjekjeje propagandistike për të detyruar Kievin të dorëzohet – përpjekje që deri më tani ka dështuar.

Ramzan Kadrov, kryeministri çeçen, ka konfirmuar se më shumë se 10,000 ushtarë çeçenë po marrin pjesë në pushtimin e Ukrainës. Në një video të postuar në rrjetet sociale, Kadyrov tha se pushtimi i Ukrainës ishte vendimi i duhur dhe se ata do të ishin të gatshëm të zbatonin urdhrat e Putinit në çdo rrethanë, raporton abcnews.al

Lexojeni të plotë KËTU

10:30- Deri tani armiq të betuar, SHBA-të i zgjasin dorën mikut të Putinit: Vjen gjesti i parë i shkrirjes së akujve

Qeveria e Venezuelës liroi të martën të paktën dy amerikanë të burgosur dhe kjo duket një pikë kthese e mundshme në marrëdhëniet e administratës Biden me aleatin më të besuar të Rusisë në hemisferën perëndimore.

Lirimi i tyre u pasua me një udhëtim të rrallë të një delegacioni të nivelit të lartë amerikan në Venezuelë gjatë fundjavës për t’u takuar me Presidentin Nicolás Maduro, pjesë e një axhende më të gjerë të administratës Biden në vendet autokratike që mund të rimendojnë lidhjet e tyre me Putinin pas pushtimit të Ukrainës.

Bisedimet me Venezuelën, e cila ka rezerva të mëdha nafte, morën një kthesë të re pasi Presidenti Biden njoftoi të martën se Shtetet e Bashkuara do të ndalonin importet e naftës dhe gazit rus për shkak të pushtimit. Kjo lëvizje pritet të rrisë më tej çmimin e naftës së papërpunuar në tregun global dhe mund të rrisë çmimet e gazit në një moment kur inflacioni në SHBA është rritur me ritmin e tij më të shpejtë në 40 vjet.

Venezuela mund të ndihmojë në kompensimin e një pjese të mungesës së shkaktuar nga ndalimi i naftës ruse. Por ekspertët e industrisë paralajmëruan se furnizimet e naftës në Venezuelë do të bënin pak për të zbutur shpejt çmimet e gazit dhe inflacionin amerikan. Rritja e prodhimit të vendit mund të marrë kohë pas viteve të keqmenaxhimit dhe investimeve të pamjaftueshme që kanë shkatërruar sektorin energjetik të SHBA-ve sipas New York Times.

10:06- OKB jep alarmin për Çernobilin: Lerini punonjësit të pushojnë, rrezikojnë shumë

Kreu i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, IAEA, u ka bërë thirrje forcave ruse që të lejojnë punonjësit që të pushojnë, shkruan BBC

Në një deklaratë, Rafael Grossi tha se një grup prej rreth 210 punonjësish kanë punuar gjatë dy javëve të fundit pa pushuar. Grossi tha se ishte thellësisht i shqetësuar për situatën me të cilën po përballej personeli.

Punonjësit duhet të jenë në gjendje të pushojnë dhe të punojnë në turne të rregullta, duke theksuar se kjo është thelbësore për sigurinë e përgjithshme bërthamore. Ushtarët rusë arritën të futeshin në Çernobil, vetëm disa orë pasi Moska filloi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës.

Grossi tha gjithashtu se transmetimi i të dhënave në distancë nga sistemet e monitorimit të sigurisë në termocentralin te IAEA nuk  funksionon më.

10:00- Skenar katastrofik, zyrtarët amerikanë: Putini mund të hedhë bomba bërthamore në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorë armë taktike bërthamore në qytete e Ukrainës, paralajmërojnë zyrtarët amerikanë.

Ekziston frika se presidenti autokrat mund të vendosë të ndërmarrë hapin drastik nëse forcat ruse vazhdojnë të përballen me rezistencë të ashpër nga mbrojtësit, raporton Mail.

Sot është dita e 14-të e luftimeve në Ukrainë. Dy palët kanë rënë dakord për hapjen e 6 korridoreve humanitare, me qëllim evakuimin e qytetarëve.

09:13- New York Times tërheq korrespondentët nga Rusia për herë të parë në një shekull

New York Times ka tërhequr të gjithë korrespondentët e saj nga Rusia, për herë të parë në më shumë se një shekull, shkruan CNN

“Kjo është një ditë e trishtë për historinë e New York Times. Që nga viti 1921, me një ose dy ndërprerje të shkurtra për shkak të vizave, gazetarët kanë raportuar gjatë gjithës kohës në Moskë.

Gazeta njoftoi tërheqjen e saj zyrtare nga Rusia në një deklaratë të martën, duke cituar legjislacionin e ri që synon të kriminalizojë gazetarët që raportojnë për pushtimin e Moskës në Ukrainë.

“Legjislacioni i ri i Rusisë synon të kriminalizojë raportimin e pavarur dhe të saktë të lajmeve në lidhje me luftën kundër Ukrainës.

Për sigurinë e stafit tonë që punon në rajon, ne do ti zhvendosim ata jashtë vendit për momentin,” tha zëdhënësja e New York Times Danielle. Rhoades Ha.

09:09- Sanksionet e forta, Britania sekuestron avionin rus

Pas njoftimit se sanksionet e aviacionit në Mbretërinë e Bashkuar, thuhet se tani përfshijnë aftësinë për të kapur çdo avion rus.

Sekretari i Transportit, Grant Shapps, ka zbuluar se është konfiskuar tashmë një avion. Tani do të bëhet një hetim për pronësinë e tij.

“Ka një avion të tillë në terren në Farnborough që unë e kam konfiskuar në thelb ndërkohë që ne kryejmë hetime të mëtejshme, për ditët e fundit,” i tha ai BBC.

“Është shumë e rëndësishme që ne të kemi ligjet në dispozicion, për të mundësuar që kjo të ndodhë.”

08:49- 22 të vrarë mes tyre 3 fëmijë nga sulmet ajrore në Sumy

22 persona, përfshirë tre fëmijë janë vrarë nga sulmet ajrore në Sumy, sipas Dmytro Zhyvytskyi, shkruan BBC

Guvernatori i Sumy-t, Dmytro Zhyvytskyi, tha për BBC-në se Rusia bombardoi një zonë banimi në veri-lindje të qytetit gjatë natës. Sipas informacioneve, 9 persona të një familje thuhet se janë vrarë nga sulmet e mbremshme, ndërsa janë shkatërruar plotësisht 6 shtëpi ndërsa 20 janë dëmtuar.

Rreth 5,000 njerëz janë evakuuar nga qyteti, pas shpalljes së korridoreve humanitare.

08:48- Rusia paralajmëron perëndimin për sanksione: Do t’ju dhembin

Rusia ka paralajmëruar se po punon për një përgjigje të gjerë ndaj sanksioneve perëndimore. Moska pretendon se përgjigja se do të jetë e shpejtë dhe do të ndiheshin në zonat më të ndjeshme, raporton Reuters.

“Reagimi i Rusisë do të jetë i shpejtë, i zhytur në mendime dhe i ndjeshëm për ata që u drejtohet”, tha Dmitry Birichevsky, drejtori i departamentit të bashkëpunimit ekonomik të ministrisë së jashtme, sipas agjencisë së lajmeve RIA. /abcnews.al

08:42- Ministria britanike: Rusët po luftojnë për të arritur në veri të Kievit

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe në një reagim të fundit ka bërë ne dije se forcat ruse kanë dështuar të bëjnë një përparim të rëndësishëm në veri të Kievit dhe forcat ukrainase duket se po arrijnë të rrëzojnë aeroplanët e armikut.

Sipas përditësimit të fundit të inteligjencës britanike të fushëbetejës në një postim në Twitter theksohet se lufta në veri-perëndim të Kievit mbetet e vazhdueshme me forcat ruse.

08:41- Mbretëria e Bashkuar shton sanksionet: Ndalohet çdo avion në Britani

Mbretëria e Bashkuar do të shtojë sanksionet për ta bërë të paligjshme fluturimin ose uljen e çdo avioni rus në vend. Do të futen kompetenca të reja për të ndaluar çdo avion rus që ndodhet në Britaninë e Madhe, ka njoftuar sekretarja  e jashtme.

Njoftimi i Liz Truss për raundin e fundit të sanksioneve do të thotë se do të jetë një vepër penale për çdo avion rus të fluturojë ose të ulet në Britani, pasi të ketë miratuar legjislacioni.

Ndalimi do të përfshijë çdo avion në pronësi, operim ose qira nga kushdo që lidhet me Rusinë ose individë ose subjekte të përcaktuara.

Sekretarja e Jashtme Liz Truss tha: “Ndalimi i avionëve me flamur rus nga Britania e Madhe dhe përcaktimi si vepër penale për të fluturuar me to do të shkaktojë më shumë dhimbje ekonomike për Rusinë dhe ata afër Kremlinit.

08:31- Korridori humanitar do të qëndrojë hapur, vijon evakuimi qytetarëve në Sumy

Rusia ka pohuar sërish këtë të mërkurë se do të sigurojë korridore humanitare sot për ukrainasit që ikin nga Kievi, Chernihiv, Sumy, Kharkiv dhe Mariupol,

Guvernatori rajonal Dmytro Zhyvytskyy  në një prononcim për mediat ka bërë me dije se rreth 5,000 njerëz hipën me autobusë nga qyteti verilindor të martën pasi Moska dhe Kievi ranë dakord për korridorin.

Ndër të tjera Zhyvytskyy tha se rreth 1000 makina ishin gjithashtu në gjendje të largoheshin, duke lëvizur drejt qytetit të Poltava .

08:27- Rusia: Kemi prova se Ukraina po planifikon një sulm në Donbas

Ministria ruse e mbrojtjes ka pohuar se ka disa dokumente sekrete që dëshmojnë se Kiev po planifikon një sulm ndaj separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore, shkruan BBC

Reuters nuk mundi të verifikojë dokumentet, të shkruara në gjuhën ukrainase, të cilat duket se përshkruajnë përgatitjet luftarake. Muajin e kaluar, presidenti Putin njohu dy rajonet e mbështetura nga Rusia në Ukrainën Lindore, Republikën e vetëquajtur Popullore të Donetsk dhe Republikën Popullore të Luhanskut, si shtete të pavarura.

Më pas, urdhëroi vendosjen e trupave  në të dy rajonet, përpara se të fillonte lufta në Ukrainë.

08:23- SHBA refuzon ofertën e Polonisë për t’ia dhënë avionët MiG-29 për Ukrainën

SHBA refuzon ofertën e Polonisë për t’ia dhënë aeroplanët MiG-29 për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një ofertë të Polonisë për të transferuar aeroplanët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani, si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus.

Shtetet e Bashkuara kanë synim që të rrisin dërgesat e armëve në Ukrainë, mirëpo ideja e dërgimit të aeroplanëve luftarakë nga territori i NATO-s në një zonë lufte, “ngre shqetësime serioze për gjithë aleancën e NATO-s”, ka thënë Pentagoni.

NATO-ja ka thënë se nuk dëshiron konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe presidenti amerikan, Joe Biden ka hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të trupave amerikane për të luftuar në Ukrainë.

“Thjesht është e paqartë për ne nëse ka arsye racionale për këtë gjë”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, duke komentuar propozimin e Polonisë.

08:11- Shefi i CIA-s: Putini kishte planifikuar marrjen e kontrollit të Kievit brenda dy ditësh

Presidenti rus, Vladimir Putin ka planifikuar marrjen e kontrollit të Kievit brenda dy ditësh, ka thënë shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, William Burns.

Duke folur në një seancë para Kongresit amerikan, Burns u ka thënë ligjvënësve se mendon që Putin është i zemëruar tani.

“Ai ka mundësi që të rrisë përpjekjet për të rrëzuar ushtrinë ukrainase, pavarësisht viktimave civile”.

Burns ka thënë se Putin e ka përfshirë veten në një kombinim shpërthyes të “ankesave dhe ambicive për shumë vjet”.

Ndërkohë, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Avril Haines tha në një seancë dëgjimore të Kongresit të martën se inteligjenca amerikane vlerëson se Putini nuk ka gjasa të frenohet nga pengesat që ushtria ruse është përballur në Ukrainë, duke sugjeruar se ai po dyfishon fushatën e tij për të mbajtur Ukrainën nga anëtarësimi në NATO.

07:48- Polonia dhe Rumania në shënjestrën e Putin-it? Çfarë pritet të ndodhë nga vizita e Kamala Harris

Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris do të bashkëpunojë me Poloninë dhe Rumaninë në hapat e ardhshëm për t’iu përgjigjur pushtimit rus të Ukrainës dhe për t’i siguruar ata për mbështetjen e Uashingtonit gjatë takimeve të saj me liderët e të dy vendeve nga e enjtja.

Vendet kanë qenë gjithnjë e më të shqetësuara për agresionin e Rusisë në rajon dhe janë anëtarët më lindorë të NATO-s. Ata ndajnë një kufi me Ukrainën, ku mijëra refugjatë po vërshojnë. Harris do të fokusohet në mënyrat se si anëtarët e NATO-s mund të zbatojnë sanksionet ekonomike të vendosura dhe se si ata mund të qëndrojnë në linjë dhe të ecin përpara së bashku, thanë zyrtarë të lartë të administratës.

Ajo gjithashtu do të angazhohet me refugjatët ukrainas në Poloni, duke diskutuar për vazhdimin e ndihmës humanitare dhe të sigurisë për Ukrainën dhe rajonin. Numri i refugjatëve të krijuar nga pushtimi ka kaluar 2 milionë.

Harta më poshtë detajon zonat e Ukrainës nën kontrollin rus:

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!