“Liri për Çlirimtarët”. Me një mesazh 4 ditë para verdiktit final të Gjykatës së Hagës për ish-liderët e UÇK, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbështet pafajësinë e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veseli.
Duke e konsideruar gjithë gjyqin një farsë, për të cilën kryeministri ka ende dyshime edhe për vendimin final, Rama shprehet i bindur se lirinë Hashim Thaçit dhe ish-liderëve të UÇK nuk ia merr dot askush.
“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptaris.”
Ky mesazh vjen vetëm 4 ditë para se Gjykata e Hagës të japë vendimin për Hashim Thaçin dhe ish-liderët e UÇK. Këtë të shtunë, një marshim mbahet në Prishtinë me kërkesën ndaj Hagës për ti liruar.
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga 45 vite burg për ish-liderët e UÇK të akuzuar për krime lufte, kurse së fundmi u kërkua edhe 6 vite burg për pengim të drejtësisë dhe intimidim të dëshmitarëve.


