Limaj e Xhika janë dënuar për protesta? Reagon klubi i Kukësit

schedule13:58 - 23 Nëntor, 2020

schedule 13:58 - 23 Nëntor, 2020

Dashamir Xhika dhe Vesel Limaj nuk ishin titullarë në ndeshjen e fundit të Kukësit ndaj Teutës. Ky fakt solli aludime të shumta dhe medie të ndryshme raportuan se dyshja janë dënuar nga presidenca për shkak të protestave për mosdhënien e pagave.

Në lidhje me këto raportime ka reaguar zyra për shtyp e Kukësit, e cila përgënjeshtron këto lajme dhe shprehet se arsyeja pse dyshja nuk kanë qenë në fushë ishte teknike dhe se klubi po mundohet t’i kushtojë më shumë minuta talenteve të rinj. Duhet të themi se Limaj është zgjedhur si kapiteni i skuadrës në këtë sezon.

REAGIMI Marrë shkas nga shkrimet e fundit në media, ku aludohet se klubi i Kukësit ka dënuar dy futbollistët Dashamir Xhika dhe Vesel Limaj për protestë, klubi i Kukësit e ndjen detyrim të sqarojë opinionin publik dhe mediat se asgjë nuk është e vërtetë në këtë mes.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by FK Kukësi (@fkkukesialbania)

Klubi i Kukësit i siguron të gjithë se nuk ka asnjë pakënaqësi mes futbollistëve dhe klubit dhe kërkon nga mediat të jenë më serioze në mënyrën se si i trajtojnë gjërat dhe të mos aludojnë e shpikin gjëra të paqena.

Në çdo ndeshje që Kukësi luan, stafi teknik bën përzgjedhjen e futbollistëve në bazë të stërvitjeve apo formës së futbollistëve. Askush në ekip nuk është i paprekshëm dhe te gjithë luftojnë për të marrë vendin e titullarit.

Në vend që të aludoni për shpifje dhe lajme jo të vërteta, mund të merrni për lajm faktin se në ndeshjen ndaj Teutës, Kukësi ka aktivizuar disa futbollistë të rinj në moshë që mund të jenë e ardhmja e futbollit shqiptar. Angelo Tafa, Redon Dragoshi, Altin Bytyçi, Zenel Gavazaj janë futbollistë të rinj në moshë që po ju jepet besim dhe po bëjnë paraqitje dinjitoze.

Kërkojmë nga mediat që para se të shkruajnë lajme jo të vërteta, të marrin një informacion pranë zyrës së shtypit dhe të tregohen seriozë në raportime ashtu siç klubi tregohet serioz me mediat”, shkruhet në deklaratë. /abcnews.al