Kush do ta bëjë vaksinën ruse? “Policia” dhe “Gazetarët” të ndarë: Përgjegjësinë e ka qeveria

schedule20:46 - 22 Mars, 2021

schedule 20:46 - 22 Mars, 2021

Nga Dylber Balla

Sot në Shqipëri mbërritën 10 mijë vaksina ruse “Sputnik V”, dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed. Pas hezitimeve për të pranuar vaksina ruse apo kineze, qeveria Rama ndryshoi qëndrim dhe vendosi të negociojë edhe prej burimesh të tjera nga ato të SHBA dhe Bashkimit Europian duke u bërë kështu vendi i radhës në Ballkan që pranon vaksina ruse që nuk janë certifikuar nga OBSH, FDA apo EMA.

Por kush do të vaksinohet me dozat e “Sputnik V” në Shqipëri?

Abcnews.al u interesua pranë ministrisë së Shëndetësisë dhe Programit të Vaksinimit, por ende nuk ka një informacion zyrtar. “Do të vazhdohet me të gjithë grupet, ecën procesi. Megjithatë duhet të presim një përgjigje zyrtare” i tha një burim Abcnews.al.

Por cilat grupe prioritare janë në radhë?

Zv/ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini deklaroi pak ditë më parë se pas mësuesve do të nisë procesi i vaksinimit të gazetarëve dhe policëve. Ndalur te këto dy grupe, Abcnews.al kontaktoi kreun e Sindikatës së Policisë Sadedin Fishta, i cili ndodhet në një gjendje jo të mirë shëndetësore pas kalimit të COVID-19. “Kam dy muaj që kam kaluar koronavirusin, por kam temperaturë” tha ai.

Por cfarë mendon ai nëse do të vendoset nga Komuniteti i Imunizimit që policia e shtetit do të vaksinohet me dozat ruse? Sadedin Fishta thotë se kjo nuk ka rëndësi, pasi nëse ndodh diçka përgjegjësinë e mbanë qeveria. Fishta shprehet më tej se deri tani kanë vdekur nga COVID-19 28 policë dhe janë infektuar mbi një mijë efektivë.

Do të mbajë përgjegjësi shteti për cdo vaksinë që fut në Shqipëri. Ne nuk mund të marrim përgjegjësinë e Ministrisë së Shëndetësisë apo komiteti, ne kemi kërkuar që policia të trajtohet si shëndetësia. Po të shikosh vdekshmërinë e mjekëve dhe punonjësve të policisë, ka qenë aty-aty apo një më pak.

Vaksinën ruse nuk jemi ne të parët që po e provojmë, ne nuk merremi me gjeopolitikë, por të bëhen vaksinat dhe të shpëtojnë njerëzit. Kjo vaksinë nëse ka të gjitha parametrat nuk ka rëndësi nga është, vetëm të dalim nga rreziku. Gjithsesi përgjegjësinë do ta mbajë direkt qeveria për cfarë do që të ndodhë. Pavarësisht nga emri kërkojmë të vaksinohen punonjësit e policisë” tha Fishta.

COVID-19 ka marrë 8 gazetarë. Në datë 15 mars, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkoi që “vaksinimi dhe kujdesi shëndetësor për gazetarët dhe operatorët në teren, duhet të jenë një prioritet i institucioneve të shëndetit publik”. Por nëse do të vendoset që vaksinimi të bëhet me “Sputnik V”, cili do të ishte qëndrimi i kreut të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë?

Aleksandër Çipa i kontaktuar nga Abcnews.al tha se vaksina më e mirë është ajo që është certifikuar nga OBSH dhe institucionet më të rëndësishme globale të shëndetësisë, që në rastin e “Sputnik V” nuk është një gjë e tillë. Çipa tha se Unioni nuk ka qëndrim për vaksinën që do të marrin gazetarët, pasi është një cështje e shëndetit individual.

Unë për arsye shëndetësore do të doja që të gjithë anëtarët e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë të bënin vaksinën më të cilësishme. Për mua më e cilësishme konsiderohet ajo që certifikohet nga OBSH dhe institucionet më të rëndësishme globale të shëndetësisë.

Nëse kjo që po pyesni ju është e certifikuar nga OBSH unë jam dakord ta bëj. Kjo është një cështje e shëndetit individual, nuk mund të ketë qëndrim kolektiv të një organizate për shëndetin individual të anëtarësisë”.

Po nëse do të kishte mundësi, cilën vaksinë do të zgjidhte? “Unë nuk kam menduar ende për vaksinën, e kalova lehtë pa pasoja COVID-19, por jam ende në skepticizmin tim qytetar” përfundoi ai./Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!