Kurti: Masat për targat i heqim nëse Serbia vepron njësoj

schedule13:55 - 22 Shtator, 2021

schedule 13:55 - 22 Shtator, 2021

Kosova është e gatshme ta heqë masën e reciprocitetit me Serbinë sa i përket targave, nëse Beogradi do të bëjë të njëjtën gjë për targat e veturave nga Kosova, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ky vendim është masë e barabartë me atë që Serbia e aplikon ndaj qytetarëve të Kosovës për dy dekada. Jam i gatshëm që në çdo kohë këtë masë ta heq, nëse kemi një zotim të tillë edhe nga ana e Serbisë. Pra, nuk është që ne i gëzohemi tabelave të përkohshme, do të dëshironim që as Kosova e as Serbia, të mos kenë fare tabela të përkohshme, por të mundësohet qarkullimi i lirë dhe pa vonesa i të gjithë qytetarëve”, tha Kurti gjatë një konference për media të mërkurën në Prishtinë.

Për shkak të reciprocitetit të vendosur për targat e automjeteve nga Serbia, që tri ditë janë të bllokuara dy rrugë nacionale në veri të vendit nga serbë lokalë të cilët po protestojnë kundër kësaj mase.

Të dy rrugët që shpijnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak po mbahen të bllokuara nga dhjetëra kamionë dhe vetura të vendosura nga protestuesit serbë.

Kurti bën thirrje për zhbllokimin e rrugëve në Jarinjë dhe Bërnjak

Protestuesit po përkrahen nga liderët lokalë në komunat në veri të Kosovës si dhe nga Beogradi.

Në këto pika kufitare, që nga dita e hënë po qëndrojnë edhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës. Ata janë të bllokuar mes pikave kufitare dhe protestuesve. Policia deri tash nuk ka marrë asnjë aktivitet për lirimin e rrugëve.

Kryeministri Kurti ftoi qytetarët që janë mbledhur në afërsi të Jarinjës dhe Bërnjaku që të lirojnë rrugët që shpijnë drejt këtyre dy pikëkalimeve kufitare.

“Jam i njoftuar që pengesat në rrugë që shpijnë në dy pikat kufitare 1 dhe 31, janë duke u bërë me disa kamionë që janë pjesë e institucioneve komunale dhe kjo sigurisht që përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike. I ftoj kryetarët e komunave në veri që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga dhe ftoj po ashtu edhe grupin e organizuar të qytetarëve serbë, që të largohen nga dy rrugët regjionale, përkatësisht nga bllokimi i tyre, sepse kësisoj ata kanë bllokuar edhe veten e tyre”, tha Kurti.

Ndërkaq gjatë mbledhjes së qeverisë të mbajtur më 22 shtator, Kurti tha po ashtu se nuk është në interesin e Serbisë që të refuzojë dialogun dhe bisedimet, pasi sipas tij, ka dhënë përgjigje negative për bisedimet me Kosovën.

“Ne besojmë që Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen takimet dhe bisedimet dhe natyrisht që siç gjithmonë jemi të gatshëm, të hapur e të interesuar sepse është interesi i qytetarëve për një gjë të tillë”, tha Kurti.

Ndërkohë, të mërkurën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë takuar sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në njoftimin për media thuhet se presidentja Osmani e ka informuar sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, duke përmendur edhe Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes.

“Presidentja e informoi sekretarin Stoltenberg edhe për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë. Ajo theksoi se Republika e Kosovës i ka zbatuar marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe i dënoi kërcënimet dhe veprimet e Serbisë dhe të strukturave ilegale të saj në Kosovë”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb-faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës.

Varhelyi: Veprimet e njëanshme nuk janë zgjidhje

Ndërkaq, Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të tërhiqen nga, siç i quajti ai, “veprime të njëanshme”, pasi sipas tij, ato nuk janë asnjëherë zgjidhje.

“Kosovë dhe Serbi, është e domosdoshme që të përmbaheni dhe të shtensiononi situatën, t’i ktheheni dialogut dhe të siguroni liri të lëvizjes pa vonesa. Veprimet e njëanshme nuk janë asnjëherë zgjidhje. Ato vetëm shpijnë në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, shkroi Varhelyi në llogarinë e tij në Twitter.

Serbia i heq targat e kosovarëve që nga viti 2008

Të martën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se fillimisht duhet të tërhiqen trupat e Kosovës nga veriu “e më pas të ulemi të bisedojmë”. Ai po ashtu ka kërkuar një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshjet e Brukselit janë në fuqi apo jo.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, shoferët me targa të Serbisë kur hyjnë të Kosovë duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS që t’i ndërrojnë ose t’i mbulojnë targat kur futen në Serbi.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Në këtë marrëveshje ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat KS (Kosovë) ose RKS (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë./REL