Kulmi i valës së tretë, por 4 herë më pak të vdekur krahasuar me marsin: Alimehmeti shpjegon shkaqet për Abcnews.al

schedule10:27 - 18 Shtator, 2021

schedule 10:27 - 18 Shtator, 2021

Nga Mimoza Vraja

COVID ka shtrirë “hartën” e përhapjes në vendin tonë duke shënuar sërish një trend rritje. Vendi duket se është futur në një tjetër valë pandemie duke bërë që në harkun kohor të 24 orëve të shënohen deri në 1000 raste të reja.

Kështu në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 959 raste të reja me COVID, nga një numër relativisht i lartë testimesh, 5106 në total. Ndërkohë kanë ndërruar jetë 6 pacientë. Kjo është edhe shifra rekord e viktimave në vendin tonë që prej muajve shkurt-mars kur regjistroheshin më shumë se 20 vdekje në ditë, ndonëse rastet e reja ishin thuajse në të njëjtat trende.

Shqipëria numëron këto ditë mesatarisht 900-1 000 raste në ditë, njëlloj si në shkurt-mars 2021

Thënë kjo, krahasuar me shifrat e 6 muajve më parë, në datë 16 Mars në vendin tonë janë shënuar 475 raste të reja nga 3005 testime të kryera në total, ndërsa kanë humbur jetën 17 pacientë.  Ndërsa një muaj më herët, më 16 shkurt, në vend janë shënuar 801 raste të reja me COVID, nga 3842 testime të kryera në total dhe 15 humbje jete në harkun kohor të 24 orëve.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë për Abcnews.al se kjo vjen për shkak se një numër i lartë personash e kanë kaluar sëmundjen në mënyrë natyrore ndërkohë që një pjesë tjetër janë vaksinuar.

Pavarësisht se numri i rasteve është i njëjtë, aktualisht kemi 4 herë më pak të vdekur krahasuar me shkurt-mars 2021

“Një numër shumë i lartë personash e ka kaluar sëmundjen në mënyrë natyrore dhe një tjetër numër i rëndësishëm është vaksinuar. Kjo bën që të evitohen shumë raste të renda dhe humbje jetësh, pasi infektimi i moshave më të reja të pavaksinuara prodhon pikërisht shifra të larta të infektuarish por jo rastesh të rënda”, shprehet Alimehmeti.

Deri tani në vendin tonë janë vaksinuar kundër COVID  gjithsej 1 640 239 qytetarë, prej të cilëve më shumë se 700 mijë kanë marrë të dyja dozat. Aktualisht janë 12 910 raste aktive me COVID në vend. Në spitalet COVID po marrin trajtim 215 pacientë, nga të cilët 30 janë në gjendje më të rënduar.

Statistikat e COVID në Shqipëri- 17 Shtator 2021

Raste të reja ditore        959

Të shëruar në 24 orë      891

Të shtruar në spitale       215

Humbje jete në 24 orë     6

Testime ditore                 5106

Testime totale              1,142,382

Raste pozitive               161,324

Raste të shëruara         145,845

Raste Aktive                  12,910

Humbje jete                     2,569

/Abcnews.al