Kufiri mes shqiptarëve: Nga UÇK-ja te “Open Ballkan” dhe retorika patriotike

schedule22:03 - 22 Tetor, 2021

schedule 22:03 - 22 Tetor, 2021

Emisioni “Ballkan” nga Linda Karadaku

Konferenca e Londrës e vitit 1913, përcaktoi kufijtë e tanishëm të Shqipërisë duke lënë jashtë kufijve shtetërorë pothuaj gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët, përfshi Kosovën. Kjo pati pasoja të rënda sociale dhe ekonomike për shtetin e ri shqiptar, pasi rajonet e saj më të begata si dhe gjysma e popullsisë shqiptare u vunë nën kontrollin arbitrar dhe të dhunshëm të shteteve fqinje, në veri dhe jug të vendit. Çështja e humbjes së Kosovës dhe zonave të tjera të banuara nga shqiptarët pati ndikim të madh në politikat e brendshme dhe të jashtme shqiptare deri në vitin 1924, por gjatë sundimit të Ahmet Zogut, fillimisht si president në periudhën 1925-1928 dhe më vonë si mbret në periudhën 1928-1939, Kosova pushoi së luajturi një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme shqiptare si kompromis për konsolidimin e sovranitetit të Shqipërisë dhe marrëdhënieve të saj me fqinjët sllavë të Jugosllavisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria dhe Kosova patën një periudhë të shkurtër unifikimi, në periudhën 1941-1944, kohë në të cilën qeveria nën pushtim, hapi 1736 shkolla fillore dhe të mesme në Kosovë ndërkohë që edhe marrëdhëniet ekonomike u zhvilluan. Vetëm gjatë vitit 1942, njëzet mijë ton grurë dhe tridhjetë mijë ton misër u eksportuan në Shqipëri nga Kosova. Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1948, komunistët shqiptarë u vëllazëruan me komunistët jugosllavë dhe Shqipëria po shkonte drejt bashkimit me federatën e dominuar nga sllavët. Por shizma në bllokun lindor dhe pozicioni I Enver Hoxhës në krah të Stalinit, i dha fund miqësisë shqiptaro-jugosllave. Megjithatë, Kosova u përdor si një retorikë bindëse nacionaliste nga Enver Hoxha, që kërcënonte se nëse do të prekej Shqipëria, do të ndizej flakë e gjithë Jugosllavia.

Për fat të keq, ajo që në Kosovë ishte nevojë dhe ndjesi e fortë për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të mbijetesës përballë hegjemonisë serbe, në Tiranë, u përdor sa herë iu duhej politikanëve shqiptarë, ose për fushata elektorale patriotike, ose për të kërcënuar Perëndimin, duke përdorur si atu ndikimin e Tiranës në Prishtinë, dhe përtej, tek shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavi ose në ish republikat jugosllave, pas shpërbërjes së federatës. Shqipëria bëhet i vetmi shtet në botë që njeh Republikën e Kosovës në vitin 1992, dhe lideri historik Ibrahim Rugova mikëpritet në Tiranë në vilat qeveritare. Presidenti historik i Kosovës do të dilte publikisht me formulën e tij, Kosova, shtet i pavarur, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë.

Në skenë po dilte opsioni i luftës së përfaqësuar nga UÇK-ja, përballë atij të paqes, të përfaqësuar nga Rugova. Djemtë e UÇK-së ishin tashmë në Shqipëri dhe politika shqiptare dukej e dyzuar midis dy opsioneve dhe ruan drejtpeshimin duke mos folur për ndryshim të kufijve. Bisedimet e Rambujesë prodhojnë një marrëveshje, e cila nënshkruhet nga Kosova dhe refuzohet nga Serbia. Berisha nuk duket i kënaqur nga marrëveshja. Ndërkohë, Hashim Thaçi ishte përfaqësues politik I UÇK-së. Ndërkohë në Shqipëri ndodhnin ngjarje shumë të rënda, vitet 1997-1998, dhe vetë vendi amë, rrezikonte të humbte gjithçka, duke rrezikuar edhe vetë sovranitetin e tij. Kjo ishte jo thjeshtë e rëndë për Kosovën, por vrastare në një kohë kur i duhej më shumë se kurrë mbështetja dhe stabiliteti I Shqipërisë. Ngjarjet zhvillohen me shpejtësi, dhe në Tiranë viti 1997 prodhon një rokadë pushteti. Socialistët rikthehen dhe kryeministër është Fatos Nano. Takimi i Kretës, në të cilin shihen duke biseduar Nano dhe Millosheviç, përjetohet keq në Prishtinë, por asgjë nuk thuhet në publik nga Ibrahim Rugova.

Shtypi i kohës shkruan se Nano kishte deklaruar në vitin 1998 se Kosova ishte çështje e brendshme e Jugosllavisë. Vetë ai i hedh poshtë akuzat. Lufta përshkallëzohet në Kosovë dhe tashmë UÇK-ja ka primatin. Shqipëria bëhet strehë, logjistikë, mbështetje morale dhe praktike. Gjatë vitit 1998 dhe gjatë fushatës së bombardimeve në periudhën mars-qershor 1999, Shqipëria krijon gjithë hapësirën e nevojshme zyrtarisht dhe jo-zyrtarisht për një aktivitet të pakufizuar të UÇK-së dhe vunë në dispozicion të NATO-s gjithë të infrastrukturën e saj ushtarake dhe civile. Pandeli Majko, i cili më vonë do të quhej kryeministri i Kosovës, është tashmë kryeministër i Shqipërisë. Kosova e do Majkon dhe e vlerëson sinqeritetin e tij në raport me Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës. Thaçi është shumë i pranishëm në Shqipëri, ndërsa Rugova në Prishtinë, ku gjendet në një situatë shumë të vështirë dhe delikate. Dërgohet në Beograd për t’u takuar me Millosheviçin dhe pamjet bëjnë xhiron e rrjetit. Pak njerëz përpiqen të shohin përtej atyre pamjeve dhe të kuptojnë çfarë kishte ndodhur vërtetë.  Fundi i luftës e gjen Shqipërinë me Majkon kryeministër, ndërkohë që në Prishtinë, rivaliteti për pushtet midis LDK-së dhe partive të dala nga UÇK, është i ashpër. Kreu I misionit të UNMIK-ut në Kosovë Bernard Kushner, arrin të bëjë bashkë udhëheqësit politikë për të krijuar një lloj bashkëqeverisje deri në zgjedhjet e paratë cilat Ibrahim Rugova I fiton.

Vdekja e Ibrahim Rugovës në vitin 2006, ndryshon skenën politike në Kosovë, LDK-ja fillon rënien ndërsa PDK-ja e Hashim Thaçit, konsolidon rritjen. Në Shqipëri, skena politike shënjohej nga Nano dhe Meta ndërkohë që pas dy vjetësh, do të dilte në skenë Edi Rama, një tjetër djalë i ri, i cili do të qeveriste me dekada, herë si kryetar bashkie dhe herë si kryeministër. Në Prishtinë, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër ishte tashmë në Hagë dhe Thaçi dominonte skenën politike. Kosova ishte nën administrim ndërkombëtar. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, për herë të parë në histori bëhet fjalë për dy shtete të pavarura shqiptare në rajon. Një realitet I ri, që ngrinte një sërë pyetjesh, si do të bashkëpunonin dy shtetet, a ishte kjo një devijim nga bashkimi kombëtar, si do të formatoheshin marrëdhëniet midis dy shteteve në kohë dhe në perspektivë, duke marrë parasysh aspiratat euro-atlantike? Shqipëria u bë anëtare e plotë e NATO-s në prill të 2009-ës dhe në qershor të vitin 2014 iu dha statusi i kandidatit të BE-së. Shqipëria përfiton ndërkohë nga heqja e vizave ndërkohë që Kosova vazhdon të mbetet sot e kësaj dite e izoluar.

BE-ja lehtëson një seri bisedimesh midis Prishtinës dhe Beogradit lidhur me çështjet me interes të përbashkët, të cilat rezultojnë në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, por Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën. Por edhe pse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet përmes marrëveshjes së Brukselit për të njohur autoritetin administrativ të Prishtinës brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës. BE përpiqet kështu të mbyllë shtigjet për ndryshim apo rishikim kufijsh, gjë që në fakt provohet të mos jetë e saktë. Në vitin 2018, teza e ndryshimit apo rishikimit të kufijve rikthehet në tavolinë nga presidenti Hashim Thaçi. Berisha reagon në Tiranë, duke hedhur akuza të rënda. Thaçi kundërpërgjigjet. Retorika në të dy anët e kufirit shkon nga një anë në tjetrën. Ndërkohë që vitet bëjnë të vetën, në skenë dalin aktorë të rinj. Një tjetër djalë I ri, Albin Kurti fillon të zaptojë skenën politikë të Kosovës ndërkohë që në Tiranë, Edi Rama ka marrë në dorë Partinë Socialiste dhe ka filluar ta transformojë sipas shijes së tij. Në dy anët e kufirit, herë flitet për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian ku kufijtë bëhen irelevantë, herë rikthehet bashkimi kombëtar, veçanërisht kur udhëheqësit respektivë janë në opozitë.

Shqipëria dhe Kosova nënshkruajnë marrëveshja pa fund, nga të cilat pak zbatohen. Retorika patriotike nuk korespondon me bashkëpunimin praktik, fajtori si gjithmonë mbetet jetim. Edi Rama, që ishte bërë ndërkohë kryeministër I Shqipërisë, viziton për herë të parë Beogradin pas Enver Hoxhës që kishte shkuar atje në vitin 1945. “Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm rajonal dhe evropian, dhe si i tillë ai duhet të respektohet”, deklaron Rama, duke provokuar shpërthimin e patriotizmit tek shqiptarët dhe zemërim tek serbët. Rama del me tezën e kërkimit të së ardhmes së përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndërkohë që tregtia mes dy vendeve vazhdon të pengohet me procedura burokratike, standarde të ndryshme në lidhje me tarifat doganore dhe sigurinë e ushqimit. Interesat e kompanive private aktive në degë të ndryshme të ekonomisë së Shqipërisë ose Kosovës luajnë një rol të madh në prapaskenë, duke u përpjekur të ruajnë monopolet në ushqim, bujqësi apo sektorin e industrisë e ndërtimit në Shqipëri apo Kosovë. Megjithatë gjestet patriotike vazhdojnë, veçanërisht në kohë krizash apo fushatash. Rama dhe Haradinaj kryqëzojnë duart në flamurin kombëtar, por vetëm pak kohë më vonë, marrëdhëniet mes tyre do të acarohen deri në atë pikë sa Rama të padisë Haradinajn për shpifje.

Teza e ndryshimit të kufijve dhe mini-shengeni ballkanik me takimin e parë të mbajtur në Novi Sad, çrregullojnë përsëri marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke çuar në shkëmbim akuzash të rënda. Kosova refuzon mini-shengenin ndërsa Tirana zyrtare ecën përpara drejt formalizimit të tij. Tashmë në Prishtinë, Albin Kurti ka fituar zgjedhjet masivisht. Dhe Lëvizja e tij ka një mënyrë krejt të ndryshme të sjelluri dhe të vepruari. Kurti viziton Tiranën duke u parë në takime publike me udhëheqësit politikë në opozitë me Ramën, madje merr pjesë në zgjedhjet nacionale, ku voton dhe jep mesazhe publike. Rama, i cili ka marrë mësim tashmë nga konflikti me Haradinajn, nuk flet. Dhe pret. Koha ndryshon shumë gjëra, edhe marrëdhëniet midis udhëheqësve politikë në dy anët e kufirit. Rama fiton zgjedhjet dhe bëhet për herë të tretë kryeministër. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është I njëjti njeri. Ngrirja në marrëdhëniet mes dy shteteve shqiptare është bërë më shumë se e lodhshme. Albin Kurti uron Ramën kryeministër dhe e fton për vizitë në Prishtinë. Rama kujdeset që çdo detaj dhe fjalë të jetë në vendin e duhur.

Duket sikur është kthyer normaliteti, zgjedhjet kanë mbaruar, retorika është zbutur, dhe Open Ballkan, ka zëvendësuar mini-Shengenin. Në thelb, pak ose asgjë ka ndryshuar. Marrëveshje që nuk zbatohen, politika që nuk përputhen, beteja për protagonizëm, dhe parimi: Jemi dy shtete sovrane. Situata faktike është kjo, Shqipëria nuk po arrin të marrë një datë për hapjen e negociatave me BE-në, Kosova nuk po arrin të marrë liberalizim vizash, Serbia nuk e njeh Kosovën e pavarur dhe kërcënon në kufirin verior. Shqipëria dhe Kosova nuk bien dakord për Open Ballkan, Serbia bie dakord me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës nuk po prodhojnë rezultate të prekshme. Është mëse e qartë në këtë konstelacion faktesh se pozicioni më delikat është ai i Kosovës, e cila nuk ka nevojë thjesht për retorikë patriotike apo nacionaliste nga Tiranë, por bashkëpunim dhe mbështetje konkrete. Aq më tepër, që me Open Ballkan, Serbia është në mes! Dhe ky është realiteti politik në terren. / Abcnews.al