Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Nga konflikti fizik në shkrepjen e armës/ Zbardhet dëshmia e plotë, autori: Viktima më ofendoi, pas të shtënave shkova në banesë

schedule19:37 - 10 Gusht, 2026

schedule 19:37 - 10 Gusht, 2026

Në datë 08.08.2026, ora 23:40, u mor deklarimi i shtetasit Kristjan Sterjo si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet. Në deklarimin e tij ky shtetas deklaroi se nuk ka mundësi për një avokat mbrojtës dhe se shpjegimet e tij do t’i japë në prani të avokatit të zgjedhur prej tij, kryesisht, z. Robert Hyska, me nr. licence…

Ai shpjegon se ditën e sotme, rreth orës së drekës, pa qenë në gjendje të përcaktojë me saktësi orën, ka qenë i vetëm në trotuarin përpara lokaleve që ndodhen përballë kinemasë. Në rrugën përpara vendit ku ndodhej ai ka kaluar një automjet Mercedes-Benz, C-Class, me ngjyrë të zezë. Targën e automjetit nuk e mban mend, por deklaron se e di që automjeti përdoret ose është në pronësi të shtetasit Johan Zuko.

Me këtë shtetas, rreth dy javë më parë, deklaron se ka pasur një konflikt verbal. Shkak i konfliktit ka qenë fakti se Johan Zuko kishte ngacmuar një mikeshë të tij, emrin e së cilës nuk dëshiron ta bëjë publik. Në atë rast, Kristjani i ka kërkuar Johan Zukos të mos e ngacmonte më dhe, gjatë konfliktit, e ka goditur një herë me pëllëmbë.



Ditën e sotme, kur automjeti i drejtuar nga Johan Zuko ka kaluar pranë vendit ku ndodhej, ky i fundit i ka folur dhe Johan Zuko ka ndaluar automjetin. Kristjani sqaron se qëllimi i tij ka qenë të sqaronte konfliktin e mëparshëm me të.

Menjëherë pasi automjeti ka ndaluar, Kristjani është afruar pranë dritares së drejtuesit. Në këtë moment, Johan Zuko është hapur me një thikë dhe është përpjekur ta godasë. Pas kësaj, Johan Zuko ka zbritur nga automjeti dhe është afruar drejt tij, duke u përpjekur sërish ta godasë me thikë.

Për të shmangur goditjen, Kristjani e ka goditur me shkelm. Në automjetin e Johan Zukos ndodhej edhe një person tjetër, një djalë, për të cilin Kristjani kujton se kishte veshur një bluzë me ngjyrë të përafërt me kafen ose jeshilen. Pasi ka zbritur nga automjeti, ky person e ka mbajtur Kristjanin.

Në vijim, Johan Zuko është përpjekur edhe një herë ta godasë deklaruesin me thikë dhe e ka sharë me fjalët: “Do të q… motrën, do të q… robtë”. Në këtë moment, disa persona që ndodheshin aty kanë ndërhyrë dhe i kanë ndarë.

Pas ndarjes, Johan Zuko dhe personi tjetër janë larguar sërish me automjet, ndërsa Kristjani është larguar me vrap në drejtim të banesës së tij.

Më tej ai shpjegon se, në gjendjen e gjaknxehtësisë në të cilën ndodhej, pasi ka mbërritur në banesë, ka marrë një armë zjarri, për të cilën kujton se ka qenë pushkë, por nuk është i sigurt për këtë, dhe se arma nuk kishte tytë.

Deklaruesi sqaron se armën e kishte gjetur më parë dhe e mbante të fshehur në banesën e tij.

Ai e ka marrë armën nga vendi ku e kishte fshehur, e ka vendosur në një thes të bardhë dhe është nisur në këmbë në drejtim të lagjes ku banonte Johan Zuko.

Ka kaluar nëpërmjet pallateve dhe ka shkuar deri te marketi “EUROMARKET”, që ndodhet në lagjen nr. 14, në zonën ku banon Johan Zuko.

Kur ka mbërritur te marketi, Kristjani ka parë Johan Zukon, i cili ndodhej anash një lokali që gjendet përballë marketit. Pasi e ka parë, Kristjani është drejtuar në drejtim të tij, ka nxjerrë armën nga thesi dhe i është afruar.

Në momentin kur Kristjani po afrohej, Johan Zuko e ka sharë përsëri dhe më pas është larguar me vrap. Kristjani është vënë në ndjekje të tij. Johan Zuko ka hyrë në një pallat dhe Kristjani ka shkuar pas tij.

Kristjani nuk e mban mend se në cilin kat ka ndodhur kjo, por deklaron se në atë vend ka qëlluar me armë në drejtim të Johan Zukos, duke synuar nga ana e këmbëve.

Pas të shtënës, Kristjani nuk ka parë nëse Johan Zuko është plagosur apo çfarë i ka ndodhur. Menjëherë pas këtij momenti, ai është larguar dhe deklaron se nuk e mban mend nëse arma ka qenë në breshëri, por kujton se ka tërhequr vetëm një herë këmbëzën e armës.

Pas kësaj ngjarjeje, ai është larguar në drejtim të lagjes së tij. Kur ka mbërritur te Fusha e Drurëve, e ka fshehur armën duke e vendosur në disa shkurre.

Pasi ka fshehur armën, ai ka shkuar në banesë, është ndërruar dhe rrobat që kishte veshur i ka futur në lavatriçe. Pas kësaj, ka dalë nga banesa dhe ka qëndruar në një banesë të pabanuar që ndodhet pranë shtëpisë së tij.

Në fund deklaron se këto janë shpjegimet që ka për të dhënë ditën e sotme dhe se nuk ka gjë tjetër për të shtuar.

Në vijim, nga shërbimet e policisë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Kristjan Sterjo në datë 09.08.2026, ora 00:30, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar respektivisht nga neni 78 dhe 278 i Kodit Penal.

Gjatë kontrollit personal këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua me procesverbalin e datës 08.08.2026, ora 23:45, sendet si më poshtë:

Një telefon i markës XIAOMI.

Karikues telefoni me ngjyrë të verdhë.

Në vijim, nga shërbimet e policisë janë kryer veprimet e mëposhtme hetimore dhe janë marrë faktorët me anë të tamponëve të karbonit për mbetje të faktorëve qitës nga të dy duart e shtetasit Kristjan Sterjo, të cilat janë administruar me procesverbal këqyrje-marrje.

Gjithashtu janë administruar me procesverbal këqyrje-marrje edhe veshjet e autorit të ngjarjes, Kristjan Sterjo, që kishte veshur në momentin e ngjarjes, të cilat janë gjetur në banesë: një kostum sportiv me bluzë pambuku, tuta të shkurtra, si dhe një telefon Redmi që është kontrolluar…

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!