Kufiri detar Greqi-Shqipëri, Dervishi: Problemi i ishujve çon marrëveshjen e detit në “kalendat greke”

schedule12:44 - 16 Shtator, 2020

schedule 12:44 - 16 Shtator, 2020

Në një bashkëbisedim me gazetaren Juli Xhokaxhi në studion e Abc News, gazetari Ferdinand Dervishi foli për çështjen e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Çështja ka ndezur debate të forta politike, pas deklaratës së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në parlament, i cili tha se Greqia do të zgjerojë nga 6 në 12 milje kufijtë detarë.

Sipas gazetarit askush nuk ka pse të frikësohet nga ky deklarim i Kryeministrit të Greqisë.

“Shpallja e 12 miljeve detare është një e drejtë që ligjet ndërkombëtare ja japin çdo shteti. Shqipëria i shpalli 12 miljet detare në vitin 1991 dhe asnjë grek nuk protestoi. Regjimi i 12 miljeve detare mes dy shteteve vendoset deri në pikën kur mes tyre ka 24 milje detare. Pak më poshtë apo më lart, ku miljet detare janë më pak se 24, ky ligj përfundon dhe merr jetë një tjetër ligj, ai i ndarjes së detit përmes parimit të barazlargësisë. Prandaj askush nuk ka pse të frikësohet nga ky i ashtuquajtur zgjerim grek”, sqaroi Dervishi.

Një tjetër detaj i diskutuar në studio ishte plotfuqishmëria e ishujve grekë në ndarjen e kufirit detar mes dy vendeve.

“Marrëveshja e parë po ta shikosh është strikte. Ajo ka një problem se është bërë sipas parimit ta barazlargësisë strikte. Që do të thotë marrim kompasin dhe të ndajmë, kjo e jona – kjo e juaja. Gjykata Kushtetuese e pa të arsyeshme që nuk duhet ky parim, por parimi i barazlargësisë së korrektuar.

Pra duhet zbatuar një parim që të mos u japë ishujve grekë të njëjtën fuqi sa kontinenti për ndarjen e kufirit detar. “Barketa” është sa një tavolinë, është një shkëmb. Në kohën e baticës më të madhe ai sërish mbetet mbi sipërfaqe.

Ishulli gjendet midis hapësirës detare Greqi-Shqipëri në kanalin e Korfuzit, dhe quhet ishull grek sepse kështu na e paska thënë historia. Ky ishull që gjendet përmidis bregut shqiptar dhe atij grek na e sjell kufirin detar te hunda.

Marrëveshja e parë ishte në rregull me ligjin e detit, por në dëm të Shqipërisë, pasi ishujve grekë ju dha plotfuqi në caktimin e vijës së kufirit.

Por si e kanë zgjidhur të tjerët këtë çështje?

Nuk mundet që një shkëmb të vogël, sa tavolina ku po flasim, të të marrë gjysmën e detit? Në 1977 kur është bërë ndarja e detit Itali-Greqi… ishulli “Othonoi” nuk është konsideruar me fuqi të plotë, pasi italianët kanë përfituar pak më tepër sipërfaqe detare.

Pra ai ishull nuk është quajtur si kontinent. Është një precedent shumë afër. Këto gabime tona janë bërë besoj nga mosdija, sepse nuk besoj që ka këllqe dikush që të shesë detin.

Një problem tjetër që reklamoi me të drejtë Gjykata Kushtetuese ishte edhe mosmbyllja e gjireve nga pala shqiptare. Ndërkohë që grekët kishin shkuar drejt marrëveshjes me gjire të mbyllura. Se ka vrarë njeri mendjen për këtë pjese, ose nuk është paraqitur dokumentacioni i duhur”, tha gazetari.

Dervishi theksoi më tej se pikërisht për shkak të plotfuqisë së ishujve grekë si dhe mosmbylljen e gjireve Gjykata e rrëzoi marrëveshjen:

 “Marrëveshja e parë për këto probleme u kthye. Në marrëveshjen e 2009 ne humbnim. Teorikisht ishim në rregull, praktikisht humbnim”.

Sipas gazetarit problemi i shfaqur me ishujt grekë mund të çojë te “kalendat greke” marrëveshjen e detit Shqipëri-Greqi.

Sipas tij, nëse Greqia na lejon që ishulli Barketa të mos ketë fuqinë e kontinentit në ndarjen e detit, kjo mund të shërbejë si precedent për Turqinë në konfliktet e saj historike për detin me Greqinë.

“Për mua ky problemi i ishujve grekë nga të cilët ne pretendojmë të marrim më shumë det, kam idenë se do na çojë në kalendat greke. Nëse ne arrijmë që në marrëveshje me grekët të mos i japin efekt të plotë ishullit Barketa, ky bëhet një precedent që i shkon Erdoganin si zile e këndshme në vesh.

Paskësaj edhe ai do kërkojë, sepse e ka precedentin, që të zvogëlojë fuqinë e ishullit grek Kastelorizo dhe të futet e të marrë një llokmë të madhe nga deti Mesdhe. Po kjo nuk ka të ngjarë të ndodhë kurrë.

Prandaj të plotësohen pretendimet shqiptare, qoftë ato të Gjykatës Kushtetuese, mendoj se është një mision i pamundur”,  përfundoi gazetari.

g.v/abcnews.al