Më në fund, kemi lajme të mira. Dy mbrojtësit kryesorë të kombëtares shqiptare janë si “kokrra e mollës” dhe priten titullarë këtë fundjavë në Itali.
Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli I kanë lënë pas dëmtimet, edhe pse historia e secilit prej tyre është e ndryshme.
Kapiteni kuqezi nuk mund të thuhet se pati një lëndim të vërtetë, edhe pse doli nga fusha javën e kaluar me shqetësime muskulore.
Tridhjetenjëvjeçari I Atalantës nuk do të humbasë asnjë ndeshje, dhe pasi ishte që nga minuta e parë në fushë në Empoli, në suksesin 2-0 ku dha edhe asist, del sërish në fushë.
Trajneri Gasperini e ka zgjedhur përsëri titullar, të paktën sipas “La Gazeta delo Sportit”, me bergamaskët që duan titullin këtë sezon dhe që do të presin në shtëpi Venecian.
Gjimshiti ka deri tani 2 gola e 2 asistë.
E ndryshme historia e Ardian Ismajlit.
Qendërmbrojtësi tjetër I kombëtares vuajti shumë më tepër nga dëmtimi në kofshë, duke humbur 5 ndeshje në Itali, e duke qenë pushim për 25 ditë.
Ky ishte lëndimi I tij I dytë këtë sezon, ndryshe nga Gjimshiti që ka pasur katër.
“La Gazeta delo Sport” shkruan se Ismajli pritet titullar në sfidën e Serisë A që Empoli luan të dielën në fushën e Xhenoas.
Shpresohet që rikthimi I kapitenit të ndryshojë fatin e toskanëve që në mungesë të tij kanë zbritur në zonën që të zbret nga kategoria, në vendin e tretë nga fundi në renditje./abcnews.al