Kryesia e PS-së: Në 4 Janar “ndizen motorët” për zgjedhjet e ardhshme

schedule13:20 - 29 Dhjetor, 2018

schedule 13:20 - 29 Dhjetor, 2018

Partia Socialiste ka mbledhur kryesinë e saj një ditë pas punimeve të Asamblesë Kombëtare gjatë të cilës kabineti qeveritar pësoi ndryshime. Por temë diskutimi i kryesisë së selisë rozë duket se kanë qënë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme për të cilat Rilindja ndez motorrët në 4 Janar.

Për rreth një orë në selinë rozë, kryesia e Partisë Socialiste u mblodh rreth diskutimeve me në fokus përgatitjet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Burime pranë kësaj partie bënë me dije se gjatë mbledhjes, e cila erdhi një ditë pas rrokadës në kabinetin qeveritar ku u zëvendësuan 7 ministra, nuk është diskutuar mbi këtë ripërteritje të kabinetit, por është vendosur data 4 Janar si pikënisja e rrugëtimit të kësaj force politike drejt zgjedhjeve të ardhshme, duke nisur me mbledhjen e këshillave të koordinimit. Për shkak të afrimit të datës së zgjedhjeve, mbledhjet e kryesisë, socialistët kanë vendosur t’i bëjnë të përjavshme.

Brenda 21 Janarit kur nis edhe sesioni i ri Parlamentar, kryesia e Partisë Socialistëve duhet të ketë gati edhe emrat e atyre që do të zëvendësojnë Erjon Braçe, Eduard Shalsin dhe Bledi Çuçin në drejtimin e komisioneve parlamentare. Deri atëherë pritet që Presidenti Ilir Meta të ketë dekretuar anëtarët e rinj të qeverisë, emrat e të cilëve shefi i tyre Edi Rama mësohet se nuk ja ka dërguar ende Kreut të Shtetit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!