Krujë/ Kanosën me kallashnikov xhaxhain, dy vëllezërit u kallëzuan pasi mashtruan gjyshin duke i marrë para. Kërcënuan dhe babain

schedule14:45 - 11 Shkurt, 2025

schedule 14:45 - 11 Shkurt, 2025

Policia e Krujës ka arrestuar një 19 vjeçar ndërsa është vënë në kërkim të vëllait të tij 17 vjeç për shkak se dyshohet se kanë kanosur për të vrarë xhaxhanë e tyre. Mësohet se në pranga ka rënë Fatbardh Mali, i cili është kapur pas ndërhyrjes së policisë pranë banesës se familjes Mali në Bubq.

Gazetari Ervin Leka raporton se Fatbardh Mali bashkë më vëllanë e tij kishin kanosur me kallashnikov xhaxhanë e tyre. Në këtë moment ka ndërhyrë babai por edhe ai është kërcënuar se do të vritej.

Sherri mes dy vëllezërve dhe xhaxhait te tyre ka nisur disa ditë më parë. Fatbardh Mali dhe vëllai i tij kanë marrë disa herë shuma të konsiderueshme parash nëpërmjet mashtrimit nga gjyshi i tyre duke pretenduar se kanë probleme me disa persona të tjerë. Kur ka marrë vesh këtë mashtrim xhaxhai i dy vëllezërve ka kryer kallëzim ndaj nipave më komisariatin e Krujës.

Pasi janë thirrur në polici dy vëllezërit nuk janë paraqitur por kanë marrë një kallashnikov dhe i kanë shkuar në banesë xhaxhait te tyre duke e kërcënuar se do ta vrisnin nëse nuk do të tërhiqte kallëzimin ndaj tyre. Pas kontrolleve policia ka gjetur edhe kallashnikovin që dyshohet se është përdorur për kanosjen.

Policia po heton dy të rinjtë edhe për ngjarje te tjera pasi ka dyshime se janë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Ndërkohë vijon puna për kapjen e 17-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!