Kriza e thellë politike, skenarët e mundshëm në Itali

schedule11:36 - 28 Maj, 2018

schedule 11:36 - 28 Maj, 2018

Në Itali vijon kriza e rëndë politike, që është thelluar dhe më tej pas dështimit të Giuseppe Contes për të formuar qeverinë e re. Tashmë variojnë disa skenare të mundshëm duke filluar nga një qeveri presidenciale dhe deri tek zgjedhjet e reja. Ndërkohë, Lëvizja 5 Yjet tashmë kërkon shkarkimin e presidentit Matarella.

Të dielën, autoritetet italiane njoftuan se kryeministri i mandatuar, Giuseppe Conte ka dorëzuar detyrën aty ku e mori, tek Presidenti i Republikës, Sergio Matarella. Shuhet kështu në mënyrë përfundimtare tentativa për të formuar qeverinë e Lega Nord me Lëvizjen 5 Yjet. Hapet kështu një krizë institucionale e paprecedentë, me pjesëtarë të 5 Yjeve që akuzojnë kreun e shtetit dhe bëjnë thirrje për shkarkimin e tij, ndërsa Matteo Salvini kërkon që të shkohet menjëherë në zgjedhje. Por çfarë do të ndodhë në të vërtetë dhe kush janë skenarët e mundshëm?

Hipoteza më konkrete është ajo e një qeverie neutral. Sot Matarela do të presë Karlo Kotarelin, drejtorin e Observatorit të llogarisë publike të Universitetit Katolik, me shumë mundësi për t’i besuar detyrën e formimit të një “ekzekutivi të presidentit”. Plani i Kreut të Shtetit mund të hasë në kundërshtimin e votëbesimit në parlament, gjë e cila është paralajmëruar nga shumë forca politike.

Alternativë tjetër, e propozuar nga Lega Nord pas dorëheqjes së Contes, është ajo e zgjedhjeve të menjëhershme.

“Dëshirojmë një datë për zgjedhjet”, nënvizoi Salvini.

Por problemi qëndron pikërisht tek kjo çështje. Ligji italian parashikon që duhet të kalojnë nga 45 deri në 70 ditë nga shpërndarja e parlamentit për të zhvilluar zgjedhje të reja. Duke bërë llogaritjet e duhura, Gushti është muaji më i afërt, ku Italia mund të mbajë zgjedhje. Por është e vështirë që gjatë verës italianët të shkojnë në votime, ndaj hipoteza më e realizueshme është Shtatori apo fillimi i Tetorit.

Në gjithë këto zhvillime, ajo që rëndon më tepër është akuza e ashpër ndaj presidentit Matarella për tradhëti të lartë: shkarkimin e tij e kërkojnë Lëvizja 5 Yjet dhe Fratelli d’Italia. Kushtetuta italiane parashikon se kreu i shtetit mund të shkarkohet vetëm për krime të tradhësitë së lartë dhe shkelje të normave kushtetuese.

Vendosja nën akuzë e kreut të shtetit, në Itali është një e drejtë eskluzive e parlamentit dhe bëhet me mazhorancë absolute. Çështja më pas do të kalonte në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi për dënimin ose jo të presidentit do t’i takojë 15 gjyqtarëve dhe 16 qytetarëve që kanë të drejtë të zgjidhen në Senat./abcnews.al