Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, ka komentuar zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe rolin e Pakistan në raport me tensionet mes Iran dhe Arabia Saudite.
Në një intervistë në emisionin “War Report” në ABC News, Krisafi u shpreh skeptik për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Iranit dhe administratës së Donald Trump.
“Nuk besoj që Trump mendon se Irani në këtë moment mund të arrijë një marrëveshje. Nuk shoh asnjë mundësi, të paktën në këtë pikë të situatës, që Irani të arrijë marrëveshje”, deklaroi ai.
Sipas Krisafit, përfshirja e Pakistanit në këtë situatë përbën një zhvillim me rëndësi strategjike, për shkak të rolit ushtarak dhe diplomatik që mund të luajë në rajon.
“Pakistani është një fuqi e rëndësishme ushtarake dhe mund të shërbejë edhe si një parandalim për goditjet që mund të vijnë ndaj Arabisë Saudite. Numri i trupave të dërguara, 8 mijë në këtë rast, është i konsiderueshëm”, u shpreh eksperti.
Ai theksoi se angazhimi pakistanez mund të ketë dy efekte: nga njëra anë mund të përshkallëzojë tensionet, por nga ana tjetër mund të shërbejë si faktor frenues për Iranin.
“Në këtë pikë Irani nuk do të donte një tjetër armik, aq më tepër Pakistanin. Sidomos kur Pakistani po luan edhe rolin e ndërmjetësit në negociata”, tha Krisafi.
Sipas tij, dërgimi i trupave pakistaneze në Arabinë Saudite nuk besohet të jetë bërë pa miratimin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar këtë si një sinjal të qartë politik dhe ushtarak ndaj Teheranit.
“Ky është një mesazh për Iranin se një rajon i tërë është përballë tij”, përfundoi ai.


