Deputetët demokratë në Komisionin e Sigurisë në Kuvend kanë kërkuar një seancë dëgjimore urgjente me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe kreun e Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Mësohet se kërkesa ka ardhur pas ngjarjeve të fundit të rënda në vend, ku krimi sipas tyre është bërë aq i guximshëm sa tashmë merr armët në dorë dhe kryen kontrolle në biznese sikur të jetë vetë policia.
Lexo edhe: Të armatosurit kontroll klientëve në lokal, policia shoqëron 3 persona në Lezhë
Në fjalën e tij, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ferdinand Xhaferaj iu referua rastit të Lezhës ku persona të armatosur dhe të maskuar u futën në një biznes duke iu kërkuar të pranishmëve kartat e identitetit.
“Në mbledhjen e fundit, ramë dakord që nisur nga situata shumë e rëndë e krimit në vend, ku policia është kthyer në agjenci funerale që vetëm bën bilancin dhe mbledh viktimat, të thërrisnim këtu ministrin e Brendshëm dhe kreun e Policisë së Shtetit. Nga ajo ditë që folëm ne, ndodhi një tjetër rast i rëndë në Lezhë, ku kriminelët, sikur të ishin forca speciale, futen në bilardo dhe bëjnë kontrolle. Këtu duhet të vijnë ata të dy për të diskutuar për situatën shumë të rendë të kriminalitetit në vend”, tha Xhaferaj.
Sipas shkresës që mban firmat e tyre, Çuçi dhe Gledis Nano duhet të paraqiten në Komisionin e Sigurisë më datë 29 nëntor. /abcnews.al