ABC News ka siguruar pamje ekskluzive nga momenti kur forcat speciale RENEA rrethojnë automjetin e Nertil Buzit, pas pengmarrjes së 24-vjeçares Rozalinda Plaku në fshatin Vidhisht, Roskovec. Në vendngjarje ishin të pranishëm edhe prokurorët e Prokurorisë së Fierit, të cilët ndoqën nga afër operacionin.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të negociatorëve për t’i dhënë fund situatës pa pasoja të tjera, Nertil Buzi refuzoi të dorëzohej. Pas një operacioni të gjatë dhe delikat, 24-vjeçarja Rozalinda Plaku u lirua e padëmtuar dhe u dërgua në një zonë të sigurt. Negociatat e punonjësve të policisë me 35-vjeçarin vijuan edhe për disa orë me radhë, derisa ky i fundit i dha fund jetës brenda makinës.
Ngjarja e rëndë nisi që në orët e para të mëngjesit të së premtes, në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Nertil (Refit) Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij dhe qëlloi me armë zjarri ndaj prindërve të saj. Si pasojë e të shtënave humbën jetën dy prindërit e 24-vjeçares, ndërsa më pas autori e mori peng të renë dhe u largua me automjet.
Për disa orë, dhjetëra forca policie, efektivë të RENEA-s dhe negociatorë zhvilluan një operacion të gjerë për lokalizimin dhe izolimin e autorit, duke bërë çdo përpjekje për ta zgjidhur situatën pa rrezikuar jetën e pengut. Pas lirimit të Rozalinda Plakut, operacioni mori fund me gjetjen e pajetë të 35-vjeçarit brenda automjetit.



