Lumturie Patushi, 58-vjeçe, ndërroi jetë nga duart e bashkëshortit të saj, Hysni Patushi, i cili e qëlloi disa herë me thikë në kraharor, duke i marrë jetën.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 10:20 të së shtunës, në rrugën “Panorama”, në kryeqytet.
Policia u sinjalizua nga banorët e pallatit, të cilët kishin dëgjuar zënkën e çiftit.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, çifti kishte pasur edhe më herët debate. Shkak dyshohet se ka qenë 68-vjeçari, i cili konsumonte shpesh alkool.
Në momentin e ngjarjes, dëshmitarë të vrasjes kanë qenë dy nipërit e çiftit. Njëri prej tyre, 14 vjeç, ka deklaruar përpara oficerëve të policisë gjyqësore se, në momentin që çifti po debatonte, ai kishte dalë për të thirrur babain e tij dhe fqinjët.
Kur u kthye në banesë, pa gjyshen e tij teksa gjyshi e godiste në kraharor me thikë.
Dhëndri i çiftit ka shkuar menjëherë në banesë. Paralelisht ka mbërritur edhe policia, e cila e dërgoi 58-vjeçaren në spital, por kjo e fundit nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Pas krimit, Hysni Patushi u largua nga vendi i ngjarjes. Sipas burimeve, ai ka qenë në gjendje të dehur. Pak më vonë, u vetëdorëzua në Komisariatin Nr. 5 në Tiranë.
Policia ka sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë në zonën ku u regjistrua ngjarja, ndërkohë që pritet të zbardhen edhe detaje të tjera rreth krimit.

