Shkolla në Kosovë, mister fati i fëmijëve të kthyer nga Siria

schedule17:05 - 2 Shtator, 2019

schedule 17:05 - 2 Shtator, 2019

Në Kosovë ende nuk ka nisur mësimi për fëmijët e kthyer nga Siria. Kështu deklaroi ministri në detyrë  i Arsimit Shyqri Bytyqi. Por të kundërtën thotë kolegu i tij Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili u ka uruar fëmijëve të kthyer nga Siria një vit të mbarë shkollor.

Fëmijët e kthyer muaj më parë nga zonat dhe kampet e ISIS-it në Siri e Irak, megjithatë sot nuk janë ulur në bankat e shkollave në Kosovë bashkë me fëmijët e tjerë. Kjo për shkak se kanë nevojë për trajtime shtesë në mënyrë që të kenë më lehtë integrimin në shoqërinë të cilës i përkasin.

Ata mësimin do të nisin në mënyrë graduale. Por ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, thotë të kundërtën, ai nëpërmjet një komunikate ka uruar nxënësit e kthyer nga Siria fillimin e vitit shkollor. Ai ka thënë se me kthimin e tyre, në bankat shkollore kemi vendosur një standard të ri në rrafshin global.

Janë gjithsej 38 fëmijë nga 74 të kthyer që sivjet pritet të ulen në bankat shkollore. Dy fëmijë janë të moshës 16-vjeçare që ndjekin mësimet joformale, 22 të moshës mbi 6 vjeç që fillojnë nga klasa e parë, 5 fëmijë  në arsim parashkollor ndërsa 9 të tjerë në kopshte.

Gjatë gjithë verës ministria e Punëve të Brendshme është marrë me integrimin e 74 fëmijëve të kthyer nga zonat e luftës, Siria dhe Iraku në mënyrë që të kenë më të lehtë edhe përballjen e tyre me procesin mësimor.

Pas kthimit në mësim të fëmijëve të kthyer nga vatrat e luftës si Siria e Iraku sfidë tjetër për institucionet e Kosovës do të jetë me fëmijët nënat e të cilëve janë në arrest shtëpiak dhe nuk mund t’i shoqërojnë fëmijët e tyre në shkollë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!