Kosovë: KQZ do të zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme për votat e Diasporës

schedule15:40 - 31 Tetor, 2019

schedule 15:40 - 31 Tetor, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vendosi të zbatoje vendimin e Gjykatës Supreme të marrë të mërkurën, që kërkoi numërimin e votave të diasporës të ardhura me vonesë. 

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar të zbatojë vendimin e Gjykatës Supreme për numërimin e votave të diasporës, të cilat erdhën me vonesë në Kosovë.

Valdete Daka- Kryetare e KQZ-së: “E kemi aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe jemi të obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet e votave nga jashtë vendit. Na pëlqeu apo jo e kemi obligim ta zbatojmë siç është”.

Por pati ankesa nga anëtarët e KQZ-së, duke e quajtur këtë vendim të supremes si precedent të keq.

Ilir Gashi -Anëtar i PDK-së në KQZ: “Realisht po bëhet precedent për këtë çështje se me këtë vendim po ndryshohet edhe ligji për zgjedhje”.

Sami Hamiti  -Anëtari i LDK-së në KQZ:Procesi i votimit deri në ditën e zgjedhjeve ka shkuar shumë mirë, ne po e bastardojmë me këto vendime”.

Një ditë më parë gjykata Supreme ka miratuar si të bazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të ndryshohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me të cilin ndalohej numërimi i 4 639 zarfe me vota të ardhura nga jashtë Kosovës.

Ndryshe kryetarja e KQZ-së Valdete Daka nuk ka përjashtuar mundësinë që certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit të ndodh në muajin dhjetor.

Raporti: Blerta Dalloshi Berisha

Kamera: Visar Kryeziu

/abcnews.al