Analisti politik Adri Nurellari, i ftuar në emisionin Real Story, ka deklaruar se mungesa e institucioneve legjitime në Kosovë përbën një rrezik serioz politik dhe diplomatik.
Sipas tij, një ngërç i tillë institucional do të ishte i dëmshëm për vendin, duke i shërbyer interesave të kundërshtarëve dhe duke demoralizuar partnerët ndërkombëtarë.
Ai theksoi se Kosova, ndonëse po eksploron shtigje të reja drejt integrimit, vazhdon të mbetet me statusin e vendit kandidat dhe nuk po e shfrytëzon plotësisht kontekstin aktual gjeopolitik.
Nurellari shtoi se vendi ka nevojë për përfitime konkrete si për biznesin ashtu edhe për qytetarët, por sipas tij kjo nuk është arritur për shkak të përfshirjes në “lojëra gjeopolitike”.
“Vendi ngelet pa asnjë institucion legjitim, nëse do kishim një ngërç të tillë do ishte ushqimi më i mirë për armiqtë dhe do demoralizonte partnerët ndërkombëtarë. Kosova në këtë valë ku po gjen edhe shtigje të reja për anëtarësim, ngelet ende me statusin kandidat.
Për shumë të mira të ndryshme që ka nevojë edhe biznesi, qytetarët, por edhe në këtë moment gjeopolitik, nuk e kemi shfrytëzuar këtë kontekst sepse kemi qenë të zhytur në lojëra gjeopolitike.
Duhet ta shfrytëzojmë këtë klimë siç e shfrytëzoi Shqipëria.”


