Qytetarët e Kosovës i drejtohen këtë të diel, më 7 qershor, qendrave të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës, në procesin e tretë zgjedhor parlamentar të organizuar brenda vetëm 16 muajsh.
Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe atyre të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi po zhvillon sërish zgjedhje parlamentare, të shkaktuara nga dështimi i forcave politike për të siguruar konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Analistja Aferdita Maliqi tha se, nëse do të ketë vullnet politik, zgjedhjet mund të shërbejnë si një mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik. Megjithatë, sipas saj, nëse partia që del e para vazhdon të kërkojë kontroll të plotë mbi institucionet, atëherë këto zgjedhje nuk do të jenë zgjidhja e situatës.
Maliqi shprehet se nuk pret që rezultati zgjedhor i sotëm të sjellë ndryshime të mëdha krahasuar me atë që është parë më 28 dhjetor. Sipas saj, renditja e partive pritet të mbetet e njëjtë, me lëvizje të vogla në numrin e votave ose mandateve.
“Nëse do të ketë vullnet politik, mund të jetë e treta e vërteta. Por nëse partia që del e para do të vijojë me kapriço, duke dashur të ketë nën kontroll gjithçka, nuk mund të jenë këto zgjedhje zgjidhja. Nuk besoj që rezultati zgjedhor i sotëm mund të sjellë ndryshime shumë të mëdha nga ato që kemi parë më 28 dhjetor.
Renditjen do ta kemi aty ku ka qenë, me ulje ose ngritje. Çështja e presidentit është problematike, sepse duhen votat e 2/3 të deputetëve, që është e pamundur që një parti t’i fitojë në zgjedhje. Nëse partia që del e para nuk bën sërish marrëveshje, në vjeshtë mund të jemi sërish në zgjedhje. Është një afat i shkurtër për ndryshime shumë të mëdha në rezultat; partitë nuk kanë prodhuar diçka që të bindin të kundërtën. Mund të ketë ndryshime në numra, por jo në renditje.”


