Korrupsioni në burg, dështon përballja Zoto-Labi

schedule16:03 - 23 Tetor, 2017

schedule 16:03 - 23 Tetor, 2017

Artur Zoto dhe Iliaz Labi, dy ish-zyrtarët e lartë të Burgjeve të akuzuar për “korrupsion” u përballën të hënën tek Krimet e Rënda. Ish-zv.drejtori Labi, bashkëpunëtor i drejtësisë, nuk mundi të japë dëshminë kundër ish-shefit të tij, për shkak të disa ndryshimeve që ka pësuar Kodi i Procedurs Penale.

Seanca e radhës tek Krimet e Rënda nuk ishte e zakontë për ish-kreun e burgjeve, Artur Zoto. Pas gati 7 muajsh qëndrimi në qeli si i akuzuar për “korrupsion” ai u përball në sallën e gjyqit me ish-zëvendësin e tij, Iliaz Labi.
Rrëfimi i këtij të fundit nën statusin e “bashkëpunëtorit të drejtësisë” janë prova kryesore e Prokurorisë kundër Zotos. Dikur në marrëdhënie shef-vartës, të hënën ata nuk shkëmbyen asnjë fjalë. Por përballja e tyre ngeci vetëm tek ndonjë vështrim, pasi Labi nuk e dha dëshminë.
Shkak u bënë ndryshimet që ka pësuar Kodi i Procedurës Penale, sipas të cilit ai duhet të dëshmonte në cilësinë e dëshmitart dhe jo atë të të bashkëpandehur në një procedim të lidhur. Kjo situatë e re, lypte praninë e një avokati mbrojtës për dëshmitari, i cili kërkoi kohë për t’u konsultuar me avokatin e tij, jo prezent në gjyq.
Pretendimi i Labit u kundështua nga avokati i Zotos. “Kjo tregon se dëshmitari nuk ka thënë asnjëherë të vërtetën. Ndryshe, ja ku e kemi, le të dëshmojë”, tha ai.
Përmes një vendimi të ndërmjetën gjykata i dha atij të drejtën të dëshmojë në seancën e radhës. Në të njëjtën seancë do të dëshmojnë edhe disa biznesmenë, të bashkëpandehur të tij në një proces tjetër.
Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se Artur Zoto ka konsumuar elementë të veprës penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë “, kryer në bashkëpunim gjatë një procedure tenderimi për ushqimin e të burgosurve.