Shqipëria është duke u përballur me krizën e koronavirusit dhe sfida kryesore tashmë është të trajtohen të sëmurët që do t’ju duhet të shtrohen në spital.
Shembulli i Italisë ka treguar se kriza mund të shkaktojë një nevojë të madhe për shtretër, respiratorë, staf të kualifikuar dhe medikamente duke e vendosur Sistemin e Shëndetësisë në një presion të madh.
Nisur nga situata e krijuar, Spitali Amerikan është vetëofruar për të ndihmuar shtetin shqiptar me kapacitetet e tij për të trajtuar të prekurit nga koronavirusi nëse do të përkeqësohet situata.
“Stafi i Spitali Amerikan ka filluar trajtimet e plota sesi të përballen dhe trajtojnë pacientë të prekur nga Covid- 19.
Në rast nevoje nga Ministria e Shëndetësisë, Spitali Amerikan do të ketë në dispozicion të autoriteteve shëndetësore, një nga spitalet tona sëbashku me stafin mjekësor të trajnuar, në funksion të përballimit sa më të mirë të situatës të të prekurve me koronavirus”, shkruan sot Spitali Amerikan në faqen e Facebook.
Një fakt i tillë u konfirmua mbrëmë në një intervistë me gazetaren Mirela Milori edhe nga administratori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu.
“Një nga spitalet tona bashkë me një staf të trajnuar, të kompletuar do të vendoset në dispozicion të vendit për të trajtuar pacientët me Covid-19, në rast të një organizimi nga Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi kapacitetet tona me respiratorë, dua të falënderoj gjithë mjekët në Shqipëri por edhe ata të Spitalit Amerikan që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të qëndruar në këto ditë për çdo nevojë që do të paraqitet. Ne kemi bërë një organizim perfekt duke filluar nga ambulancat deri tek trajtimi shëndetësor spitalor”, tha ai.
Duke parë gatishmërinë e Spitalit Amerikan, Ministria e Shëndetësisë ka planifikur që njërën nga godinat e këtij spitali ta planifikojë si “Covid 4”, nëse do të ezaurohen shtretërit e Infektivit, Sanatoriumit dhe sallave të Urgjencës tek QSUT.
Një fakt i tillë u konfirmua edhe nga Arben Gjata, Koordinator i Task Forcës për Burimet Njerëzore në një intervistë në studion e Abc News disa ditë më parë.