Autoritetet italiane të shëndetit kanë publikuar pasditen e së enjtes bilancin e ri për personat e prekur nga koronavirusi.
Kështu rezulton se numri i personave të infektuar nga koronavirusi në Itali është rritur në 41,035.
Vetëm gjatë 24 orëve janë shtuar 5,322 raste. Ndërsa brenda ditës raportohet të kenë ndërruar jetë 427 persona. Numri i viktimave në total shkon në 3,405 dhe numri i personave të shëruar tërësisht është 5,979.
Italia vazhdon të mbetet vendi më i prekur nga koronavirusi në Evropë ndërsa në renditje globale qëndron në vend të dytë pas Kinës që numëron 80,928 persona të infektuar. Vendin e tretë e mban Irani me 18,407 persona të infektuar. Dhe, “listës së kuqe” i është bashkuar edhe Spanja me 17,395 të infektuar duke u bërë kështu vendi i dytë evropian më i prekur nga Covid-19.


