Koreja e Veriut rihap linjën telefonike me Korenë e Jugut

schedule11:33 - 3 Janar, 2018

schedule11:33 - 3 Janar, 2018

Koreja e Veriut ka rihapur pas dy vjetësh linjën telefonike me Korenë e Jugut. Ky zhvillim është konfirmuar nga zyrtarët e Penianit. Ndërsa telefonata e parë është zhvilluar gjatë ditës së sotme.

Koreja e Veriut ka rihapur linjën telefonike në Korenë e Jugut, gati dy vjet pasi ishte çaktivizuar me urdhër të liderit Kim Jong-un. Seuli zyrtar konfirmoi se gjatë të mërkurës kishte marrë një telefonatë nga Veriu në 15:30 me orën lokale. Udhëheqësi i Koresë komuniste më parë kishte thënë se ishte i hapur për dialog me Seulin dhe për të dërguar një ekip në Olimpiadën Dimërore në jug muajin e ardhshëm.

Të dy vendet nuk kanë mbajtur bisedime të nivelit të lartë që nga dhjetori i vitit 2015. Koreja e Veriut preu menjëherë kanalin e komunikimit, duke refuzuar ti përgjigjet thirrjeve, sipas autoriteteve në Jug. Ndërsa një zyrtar i Koresë së Veriut njoftoi rihapjen e linjës telefonike në një deklaratë televizive. Ai tha se të dy vendet do të diskutonin mbi çështjet praktike rreth një propozimi për të dërguar një delegacion të Koresë së Veriut në Lojrat Dimërore në Pyeongchang në shkurt. “Ne do të kemi kontakt të ngushtë me Korenë e Jugut në një mënyrë të sinqertë dhe besnike”, shkruan agjencia e lajmeve Yonhap duke cituar zyrtarin e Penianit.

Zyra e shtypit e presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se rivendosja e këtij kanali të komunikimit ishte “shumë domethënës”. “Ai krijon një mjedis ku komunikimi do të jetë i mundur në çdo kohë”, nënvizon zyra e shtypit.

Sipas Ministrisë së Bashkimit të Koresë së Jugut, ekzistojnë gjithsej 33 linja të drejtpërdrejta që Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut kanë përdorur më përpara për të komunikuar me njëri-tjetrin. Kjo linjë telefonike e veçantë, e themeluar në vitin 1971, është e bazuar në Panmunjom. Fshati kufitar, në zonën e çmilitarizuar, është vendi ku dy koretë kanë biseduar historikisht. Në një fjalim të Vitit të Ri, lideri suprem Kim Jong-un foli për uljen e tensioneve dhe shkrirjen e “marrëdhënieve të ngrira Veri-Jug”. Ai tha se pjesëmarrja në Lojërat do të ishte “një mundësi e mirë për të treguar unitetin e njerëzve” në Korenë e Veriut. Nga ana tjetër Seuli është shprehur i gatshëm të mirëpresë sportistët e Penianit./abcnews.al