Kryeministri Edi Rama ka vizituar godinën e rikonstruktuar të maternitetit në Korcë, një investim rreth 1,6 milionë euro nga buxheti i shtetit. Në të nuk janë tjetërsuar vetëm ambientet por edhe të gjitha pajisjet e vjetra me të cilat kryeheshin lindjet dhe operacionet.
Vizitat në maternitete i tregojnë kryeministrit Edi Rama se në të shumtën e rasteve kanë munguar edhe kushtet më minimale për të sjellë në jetë një fëmijë.
Kryeministri u sigurua se ajo çka është bërë që në kohën e dashurisë shqiptaro-kineze nuk është më në maternitetin e Korçës. Me një investim të buxhetit të shtetit, me vlerë 1.5 milionë euro për infrastrukturën dhe 800 mijë euro për pajisjet, materniteti i ri garanton standardet europiane të shërbimit dhe kujdesit ndaj nënës dhe fëmijës.
“Është një histori e pabesueshme. Ne kemi investuar dhe i kemi kërkuar ndihmë privatit që të garantojmë cilësinë më të lartë të instrumenteve mjekësore që ju po e thoni vetë ishin që në kohën e dashurisë shqiptaro-kineze dhe faktikisht privati ka bërë investimin, ne paguajmë çdo vit. Garantohet një ulje drastike e infeksioneve post operatore, që ju e dini më mirë se unë, garantohet që ju punoni në kushte optimale, me instrumente optimale dhe ne hamë dynjanë. Por, e rëndësishme është që ju jeni në rregull”.
Stafit të mjekëve të këtij materniteti do t’i bashkohen edhe 15 mjekë të rinj, pas përfundimit të specializimit në fund të Shkurtit. Edhe në Korçë Kryeministri Edi Rama u dorëzoi personalisht çekun e bebes disa nënave të reja./abcnews.al