Rikthimi i murtajës së ruminantëve të vegjël në qarkun e Shkodrës ka ngritur alarmin në njësinë administrative Dajç, ku është konfirmuar edhe rasti i parë për këtë vit. Vatra e infeksionit është identifikuar në fshatin Mali i Gjymtit, ndërsa autoritetet veterinare kanë vendosur menjëherë zonën në karantinë, në një perimetër nga 3 deri në 10 kilometra, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Pas analizave të kryera, rreth 20 krerë dele janë asgjësuar në fermën e Sokol Volajt, ndërsa pritet të theren dhe groposen edhe afro 60 të tjera. Fermeri thotë se dëmi ekonomik është i rëndë dhe llogaritet në dhjetëra milionë lekë.
Situata ka shtuar shqetësimin edhe tek autoritetet vendore. Administratori i njësisë Dajç, Broz Pjetrani, deklaron se ekzistojnë dyshime për raste të tjera të murtajës në zonë, ndaj kontrollet në terren dhe analizat laboratorike do të shtrihen edhe në ferma të tjera.
Sipas tij, strukturat veterinare janë angazhuar për monitorimin e situatës, ndërsa fermerëve u është kërkuar të raportojnë çdo rast të dyshuar për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit.
Përveç Dajçit drejtoria rajonale e ekstensionit bujqësor në Shkodër ka nisur kontrolle edhe në zona të tjera si shkak i rrezikut të përhapjes së murtajës. Kjo është një sëmundje që prek kafshët por që nuk transmetohet tek njeriu. Vitin e kaluar në Shkodër u konstatuan 3 raste të tilla duke bërë asgjesimin e të imtave ndërsa zonat e prekura u vendosën në karantinë brenda afateve ligjore të përcaktuara.


