Konfirmohen edhe 13 raste të reja me koronavirus në Kosovë, shkon në 125 numri i të prekurve

schedule20:59 - 1 Prill, 2020

schedule 20:59 - 1 Prill, 2020

Në Kosovë janë regjistruar 13 raste të reja me koronavirus. Kështu, numri i të infektuarve në vend shkon në 125. Ndërsa, deri më tani, 10 persona janë shëruar nga Covid-19. Prej tyre, katër pacientë janë shëruar vetëm sot.

Sipas njoftimit të IKSHPK, rastet pozitive janë raste kontakti, 11 prej të cilëve me vendbanim në Topanicë, 1 me vendbanim në Prishtinë dhe 1 me vendbanim në Gjakovë.

Njoftimi i IKSHPK:

“Sot më 01.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 113 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, trembëdhjetë (13) prej tyre kanë rezultuar pozitive. Sot me 01.04.2020 konfirmohen të shëruar edhe katër (4) pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është dhjetë (10). Nga data 08.02.2020 deri me 01.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.380 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 125 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.520 kontakte të rasteve. Nga data 01.02.2020 deri me 01.04.2020 në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe në pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 21.548 udhëtarë. Në Aeroportin “Adem Jashari” 1.070 udhëtarë, Merdare 5.873, Vërmicë 5.928, Jarinje 1.841, Dheu i Bardhë 1.092, Hani i Elezit 3.567, Kullë 1.357, Qafë Morinë 47, Bërnjak 570, Qafë Prush 35, Muçibabë 167 dhe Glloboçicë 1 udhëtarë.