Komuniteti rom në Durrës në gjendje të vështirë: Po vuajmë për çapën e bukës, duam ndihmë!

schedule10:55 / 26/03/2020

Komuniteti rom që jeton në zonën e Nishtullës në Durrës po kalon ditë të vështira për shkak të krizës së krijuar nga koronavirusi në vend.

Siç raporton nga Durrësi gazetari i Abc News, Leonidha Musai, ky komunitet ankohet se nuk kanë çfarë të hanë pasi kufizimet e karantinimit nuk i lejojnë që të dalin të punojnë për bukën e gojës.

Banorët e lagjes nr. 14 thonë për Abc News se nuk janë furnizua me ushqime, më bukë, dhe kanë ngritur gjithashtu shqetësimin se lagja e tyre nuk është dezinfektuar.

Këta banorë ngrenë shqetësdimin se nuk kanë bukë për të ngrënë pasi e vetmja mënyrë që ata kanë për të siguruar të ardhura janë koshët e mbeturinave.  Shesin bidonë e produkte të tjera të riciklueshme dhe me ato para ushqehen.

Prej ditësh ata tashmë ndodhen të izoluar me urdhër të qeverisë dhe nuk kanë me çfarë të ushqehen pasi nuk dalin dot të punojnë. Për këtë arsye, komuniteti rom në këtë lagje i ka bërë thirrje bashkisë që t’i ndihmojë me ndihma dhe ushqime.

Veç mungesës së ushqimit, një tjetër problem është mungesa e distancimit social, jo vetëm në këtë lagje, por edhe në lagje të tjera të Durrësit. /abcnews.al

schedule10:55 / 26/03/2020