Kodi zgjedhor, tërhiqet Berisha/ Muça: Kreu i PD nuk e ndal dot votën e diasporës, Basha është pas tij

schedule23:41 - 7 Shkurt, 2025

schedule 23:41 - 7 Shkurt, 2025

Pas disa kërcënimeve për bllokim të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe pas sigurisë së Ramës se i ka votat për t’i miratuar në Kuvend, Sali Berisha bëri një hap pas duke paralajmëruar se do të votojë pro amendamentit që u mundëson emigrantëve të mos paguajnë asnjë qindarkë për postën.

Gazetari Flogert Muça, në një intervistë për “Ora e fundit”, tha se kreu i PD e bëri këtë lëvizje pasi e di mirë që e merr votën e diasporës. Sa i përket Lulzim Bashës, ai e konsideroi si “deputet të Berishës”.

“Me këtë kuptoj që busulla orientuese se çfarë iu duhet thënë demokratëve është Berisha. Luli dhe shokët e tij kanë kuptuar se ajo që thotë doktori, ajo besohet nga demokratët. Është fyese për demokratët se trajtohen si ushtarë dhe eventualisht Luli ka thënë atë që ka thënë dhe të tjerët se duan që ata demokratë në tavën e tyre t’i mbajë secili për vete, për t’i bërë nesër njëri-tjetrin një karshillëk apo presion të vogël për t’u thënë se të solla vota. Është lojë qesharake e Lulit, i cili nuk e di ku është. Është thjesht deputeti i Berishës dhe PD. Tallet me njerëzit duke bërë sikur është kryetari hije i PD. Berisha e di që Luli pas tij është. Berisha ka luajtur bllof duke tentuar në opinion idenë se ka në dorë fatin e votës së diasporës. Thelbi është se Berisha nuk e ndal dot votën e diasporës. Pse bëri këtë presion? E vetmja arsye janë shifrat. Ai e di se sa njerëz janë regjistruar nga PD dhe bën zbritjen me shifrën e përgjithshme. Janë rregjistruar 100 mijë njerëz, thotë 3 mijë i kemi ne. 97 mijë mund të jenë të Ramës kështu që sulm”, u shpreh Muça.

Duke u ndalur te Ilir Meta, gazetari tha se ai nuk është më një faktor politik.

“PL ka marrë fund. Ajo që ka bërë Meta është që e ka shkatërruar me duart e veta partinë që ka ndërtuar vetë. Që kur i ka thënë tradhtare të shoqes dhe që ka shpallur armiq djemtë që e kanë mbajtur atë parti. Meta ka mbetur me ish ambasador Neshon, me Vojo Kushin dhe dy tre ushtarë publikë. Nuk ka struktura sepse nën zë dhe mbi zë thonë që ai nuk është mirë. Meta nuk është më faktor politik. I duhet Berishës, e ka zënë hallin që ta fusë në listë kundër SPAK”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!