Analisti politik Valon Arifi vlerëson se përfshirja e LDK-së në një qeveri me Vetëvendosjen është çështje e kryer, por vetëm nëse plotësohen kushtet dhe kërkesat e LDK-së, përfshirë edhe ndarjen e pozitave qeveritare.
Megjithatë, Arifi vlerëson se edhe nëse arrihet një marrëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, një koalicion i tillë nuk do të jetë afatgjatë, duke argumentuar se Kurti nuk ka bashkëpunuar gjatë me asnjë partner politik.
“Gjithçka varet nga Kurti. Nëse do ose nuk do ta marrë LDK-në në qeverisje, njëkohësisht të zgjedhë edhe presidentin. Edhe për shkak të fitores së djeshme dhe asaj që flitet nga mediat, përfshirja në qeveri me Vetëvendosjen është çështje e kryer, por duke plotësuar edhe kushtet dhe kërkesat e LDK-së.
Do të jenë pozitat që do t’i ndajë me LDK-në. Një koalicion mes LDK-së dhe Vetëvendosjes kurrë nuk ka qenë më afër, por gjithçka do të varet se si Kurti, strategjikisht, e sheh të ardhmen. Nëse LDK-ja ia voton presidentin që Vetëvendosja propozon, ai mund ta përfshijë në qeverisje LDK-në. Një koalicion që mund të ndodhë dhe do të ndodhë mes LDK-së dhe VV-së nuk do të jetë afatgjatë, pasi Kurti me çdo partner politik nuk bashkëpunon.”


