Kinë, furgoni përplas kalimtarët në Shangai, 18 të plagosur

schedule11:22 - 2 Shkurt, 2018

schedule 11:22 - 2 Shkurt, 2018

18 persona kanë mbetur të plagosur pasi u përplasën nga një furgon në Shangai të Kinës. 3 prej tyre, përfshirë drejtuesin e mjetit janë në gjendje të rëndë. Policia ka rrëzuar hipotezën e sulmit terrorist.

Një furgon ka përplasur kalimtarët në një nga zonat më të populluara të Shangait në Kinë, duke shkaktuar 18 të plagosur, mes të cilëve 3 në gjendje të rëndë. Lajmi konfirmohet nga autoritetet lokale përmes Weibo, rrjetit social më të përdorur në Kinë. Incidenti ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, furgoni hyri në një rrugë këmbësore në afërsi të “Sheshit të Popullit”, një nga zonat më të mbipopulluara të metropolit kinez, duke përplasur kalimtarët, dhe përfundoi përballë një kafeneje. Policia e Shangait ka përjashtuar hipotezën e ndonjë sulmi terrorist të mundshëm. Në furgon, sipas dëshmive, filluan flakët përpara se të përfundonte në pedonale. Shoferi, I cili është arrestuar menjëherë, po tymoste duhan ndërsa po transportonte në mënyrë të paligjshme shishe me benzinë.


Aksidenti tragjik, sipas policisë kineze, është shkaktuar nga pakujdesia e drejtuesit të mjetit, një 40-vjeçar I identifikuar me mbiemrin Chen. Ky I fundit ka humbur kontrollin ndërsa po tymoste duhan. Chen dhe 2 persona të tjerë kanë marrë plagë të rëndë. 40-vjeçari punonte për një kompani metalesh në Shangai dhe nuk ka pasur precedent penal të mëparshëm. Megjithatë ai po hetohej për transportim të substancave të rrezikshme.

Ndërkohë, ngjarja e rëndë ka ndodhur pikërisht në ditën e fundit të vizitës së kryeministres Britanike Tereza Mej në qytetin e Kinës./abcnews.al