Këshilli i Europës proteston: Ligji “antishpifje” kundër standardeve ndërkombëtare

schedule12:08 - 17 Dhjetor, 2019

schedule12:08 - 17 Dhjetor, 2019

Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović i kërkon kuvendit të Shqipërisë të rishikojë draftet e paketës anti-shpifje që për herë të parë përfshin median online, me argumentin se duhen përshtatur sipas standardeve të vendosura nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe nga Këshilli i Europës.

“Këto ligje kanë nevojë për përmirësim urgjent. Disa dispozita nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të tepërta, dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave, pa një vendim gjyqësor, si dhe futja e rregullimit shtetëror të mediave në internet, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend. Është me rëndësi të madhe të sigurohet që Interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik ku mbizotëron vetë-rregullimi nga media, përfshirë mediat online. Prandaj, unë i bëj thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë draftet aktuale dhe t’i afrojnë ato me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës”, shkruan Mijatovic.