Miratohen me votat socialiste, aktet normativ për tubimet dhe dëmshpërblimet. Akti i qeverisë u prezantua në Komisionin e Ligjeve, nga zv.ministri i brendshëm, Xhemal Qefalia i cili u përball në një debat të fortë me opozitën.
Qefalia sqaroi se akti normative synon të ndajë protestat paqësore nga protestat e dhunshme.
“Këtu bëhet fjalë për ndalim të dhunës ndaj personave, ndaj pronës private, ndaj institucioneve, e drejta e protestës dhe e drejta e fjalës, është e garantuar me kushtetutë, nuk ndalohen tubimet, ndalohet dhuna!”
Qefalia shtoi se ky akt po ashtu, synon të dënojë si dhunën ndaj policëve, edhe dhunën e policëve ndaj protestuesve.
“S’mund të bëj sikur, për gjëra që ju i sillni në këtë, ky akt për këtë është, ne e kemi dënuar dhunën, në të gjitha rastet, edhe dhunën ndaj policëve, edhe dhunën ndaj protestuesve, brenda ministrisë së brendshme dhe brenda drejtorisë së policisë së shtetit, ka një institucion që vendos para përgjegjësisë policët që abuzojnë, dhe për këto ka raste.”
Ai hodhi poshtë, se Policia ka përdorur civilë të maskuar për të dhunuar protestuesit.
“Ju keni konstatuar se nga ministria e brendshme kanë dalë trupa e kanë bërë gjëra, këto janë fantazira.”
Opozita doli haptazi kundër paketës anti-dhunë, duke akuzuar se Policia është Bandë, ndërsa protestuesit viktima.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja deklaroi se me këtë paketë Shqipëria bëhet njësoj si një vend të BE ku protestohet.
“Si në vendet europiane, aty ku duam të shkojmë, edhe në Shqipëri, nuk ishte hera e parë që njerëzit kanë protestuar në këtë vend, kanë protestuar në 90, se për atë u ngritën nerëzit, për të rrëzuar atë regjim, ka patur protesta, dhe do ketë. Por Shqipëria u gjet në valën e një dhune të organizuar me grupe personash me maska që skishte lidhje me qytetarët që duan të protestojnë të lirë. Dhunë verbale dhe fizike, deri në përdorim të mjeteve të rrezikshme.”
Akti normativ i miratuar për tubimet dhe demshperblimet është vetëm prej elementëve të rinj të Paketës Anti-dhunë të qeverisë, e cila synon ngritjen e një liste të zezë për protestuesit e dhunshëm, me kufizime për shkuar në vendet e BE apo gjoba të majme për dhunën e shkaktuar.
Synon një kuadër të qartë për protestat, kufizim të tubimeve 72 orë para kur ato mbahen pranë zonave të mbrojtura ose institucioneve, si dhe parandalim ndaj thirrjeve për dhunë në rrjetet sociale. Bashkëngjitur kësaj edhe një akt normativ për të dëmshpërblyer 100% gjithë bizneset e dëmtuara gjatë protestave të dhunshme nga 13 deri 22 tetor të këtij viti./abcnews.al



