Kërcënimi rus, Shtetet e Bashkuara presion NATO-s

schedule20:20 / 05/06/2018

Shtetet e Bashkuara po i bëjnë presion vendeve europiane të NATO-s që të vënë në gatishmëri njësitë operative ushtarake, për të qenë gati ndaj çdo rreziku që mund të vijë nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara po rrisin presionin ndaj aleatëve europianë për të aktivizuar njësitë ushtarake tokësore, ajrore dhe detare, për t’i bërë ballë çdo rreziku eventual që mund të vijë nga Rusia. Në takimin e ministrave të Mbrojtjes që do të zhvillohet të enjten në Bruksel, sekretari James Mattis do të kërkojë një marrëveshje të gjerë me vendet anëtare të Aleancës.

Konkretisht, ai do të propozojë vendosjen në gatishmëri të 30 batalioneve tokësore, 30 skuadriljeve ajrore dhe 30 anijeve, të cilat duhet të jenë gati të hyjnë në veprim brenda 30 ditëve. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, miratimi i planit do të jetë një sfidë serioze për qeveritë europiane, të kritikuara vazhdimisht nga presidenti Donald Trump për shkurtim të shpenzimeve ushtarake që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

“Kemi një kundërshtar që mund të lëvizë me shpejtësi në vendet baltike dhe në Poloni, ndaj nuk kemi luksin të presim për muaj të tërë për t’u mobilizuar”, ka deklaruar një zyrtar i Aleancës, në dijeni të përmbajtjes së kërkesës amerikane.

Ndërsa për amerikanët, iniciativa përputhet me Strategjinë për Mbrojtjen Kombëtare të hartuar nga Pentagoni, që akuzon Rusinë se po përpiqet të fragmentarizojë NATO-n. Nga ana e saj, Moska hedh poshtë çdo akuzë dhe pretendon se është pikërisht Aleanca e Atlantikut të Veriut që po cënon sigurinë në Europën lindore./abcnews.al

schedule20:20 / 05/06/2018