Këlliçi nuk mundi të bëhej nënkryetari PD-së, Kokalari: Ja çfarë ndodh kur nuk orientohet vota

schedule15:30 - 4 Qershor, 2022

schedule 15:30 - 4 Qershor, 2022

Belind Këlliçi garoi për nënkryetar të Partisë Demokratike, por gara mes katër kandidatëve ishte e ngushtë dhe fitues rezultuan Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi.

Për aktivisten Evi Kokalari e cila ishte edhe anëtare e Komisionit të Rithemelimit, kjo është ajo që ndodh kur vota nuk orientohet. Në një postim në llogarinë e saj në Facebook, ajo uroi fituesit të premten mbrëma ndërsa shprehej se më 4 qershor u devijua rreziku i një “Lulzim Bashe të dytë.”

Kokalari ka vijuar me akuzat në drejtim të Këlliçit, i cili sipas saj, “ka përfituar nga besimi i dhënë në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe ka dëmtuar thellë reputacionin e atyre anëtarëve të Forumit Rinor.”

EVI KOKALARI NË FACEBOOK

“Ja kush janë më të votuarit kur nuk orientohet vota!!!
Urime të gjithë fituesve dhe urime çdo anëtari të Këshillit Kombëtar që sot devijuan rrezikun e një Lulzim Bashe të dytë.
Gjithsesi, puna juaj nuk mbaron këtu. Votimi sot ka vërtetuar çfarë ju kam thënë më parë që, Belind Këlliçi ka përfituar nga besimi që i dhamë që në Kuvendin e 11 Dhjetorit dhe këtë nuk duhet t’ja falim.
Ai gjithashtu ka dëmtuar thellë reputacionin e atyre anëtarëve të Forumit Rinor që kanë fituar në 30 Prill drejtësisht dhe me meritokraci, dhe këtë as ata vetë nuk duhet t’ja falin. Të rinjtë janë e ardhmja e PDsë, dhe është shumë e rëndësishme që ata ta drejtojnë këtë parti me integritet dhe larg nga lojrat e pista dhe korrupsioni që e ka karakterizuar PDnë këto 12 vitet e fundit.
Pres akoma përgjigje nga Belindi sepse për hir të të gjithë atyre që ju dhanë me shpirt foltores, nuk mund ta lë këtë punë përgjysëm. Po humbi integriteti i votës, humb demokracia dhe si pasoj humbim dhe ne.
Një përshëndetje dhe avokates time Endira Bushati që më ka ndenjur shumë pranë gjatë kësaj lufte, dhe duke e ditur koston e sabotimit të mundshëm nga miqtë e Belindit, integriteti i saj ngeli i paprekur. Fundjavë të mbarë të gjithëve.”
Kujtojmë se krisja ka nisur pas votimeve për Kryesinë dhe Kokalari e akuzon Këlliçin se ka ndikuar në proceset zgjedhore në PD. Sipas saj, ai ka lobuar tek anëtarët e Këshillit për t’i dhënë votat që i siguruan një vend në Kryesinë e Partisë Demokratike. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!