Kategoria superiore starton të premten

schedule14:53 - 19 Gusht, 2019

schedule 14:53 - 19 Gusht, 2019

Përcaktohet axhenda e javës së parë të kampionatit kombëtar të futbollit. Edicioni i ri i Kategorisë Superiore starton këtë të premten. Pas superkupës kalendari risjell sërish sfidën Kukësi-Partizani, ndeshjen që do të ngrejë siparin e sezonit 2019-2020.

Si për ironi të fatit, dhe koincidencë të kalendarit sërish Kukësi e Partizani kthehen të luajnë bashkë të premten, në “Elbasan Arena”në sfidën e parë hapëse të kampionatit të 81-të kombëtar të futbollit.

Edhe për disa kohë do të duhet që Kukësi të luajë në fushë neutral deri në përfundim të stadiumit të ri, punimet e të cilit kanë nisur. Kështu, kampionati do të çelë siparin ditën e premte në orën 19:00, në “Elbasan Arena”. Katër sfidat e tjera të javës së parë janë planifikuar të zhvillohen ditën e shtunë.

Në orën 16:00 do të zhvillohen përballjet mes Vllaznisë dhe Laçit dhe Skënderbeu-Flamurtari. Ndërsa në orën 19:00, nën dritën e projektorëve do të zhvillohen edhe 2 sfidat e tjera, Tirana-Luftëtari dhe Teuta-Bylis.

Ky edicion la sërish në fuqi skuadrat që vjet luajtën duke rikthyer në elitën e futbollit shqiptar Vllazninë dhe Bylisin, teksa Kastrioti ra në Kategorinë e parë ndërsa Kamza u përjashtua.

Ndërkaq, sipas rregullores merkato do të vijojë deri në datën 31 Gusht, ndërkohë që skuadrat tashmë janë në etapën e fundit të përforcimeve të tyre. Kukësi-Partizani prodhoi rivalitet shumë të madh në Superkupë ditën e dielë në një kohë që parashikohet si një sfidë rivalësh për titull deri në fund.

Ndërkaq, edhe Tirana shikohet si një pretendente e fortë për titullin, në një kohë që ka qenë shumë aktive me prurjet e saj në këtë merkato vere. Ky kampionat u përfol shumë gjatë ditëve të Korrikut që mund të kishte një shtyrje për shkak të problemeve me disa klube, por definitivisht nis sipas datave të caktuara./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!