“Karantina më keq se burgu”, çifti spanjoll tenton të “arratiset”, përfundon në izolim

schedule18:59 - 30 Nëntor, 2021

schedule 18:59 - 30 Nëntor, 2021

Një çift që u arratis nga hoteli në Holandë ka akuzuar autoritetet për kushte të këqija të ambienteve ku po mbahen të izoluar për shkak të dyshimeve për variantin e ri të COVID-19. Ata kanë deklaruar për “BBC” që kushtet ku po jetojnë ishin më të këqija se të burgut. Policia ushtarake i arrestoi të dy ditën e diel në bordin e një avioni që po nisej drejt Spanjës.

Çifti është izoluar në një repart që kuron njërzit me tuberkuloz pas thyerjes së rregullave të karantinës. Autoritetet zbuluan 13 persona të infektuar me variantin e ri, që mbërritën nga Afrika e Jugut ditën e premte. Karolina Pimenta një inxhiniere portugeze biokimie rezultoi e infektuar me variantin e ri, në momentin që ju nënshtrua testit në aeroportin e Amsterdamit ndërsa i fejuari i saj Andres Sanz rezultoi negativ. Testi PCR që ajo kishte bërë para udhëtimit kishte dalë negativ. Ata u vendosën nën kushte izolimi në një hotel që ishte 10 min larg aeroportit.

Karolina kishte bindjen që rezultatet e testit ishin gabim dhe kërkoi përsëritjen. Zyrtarët shëndetësor i thanë inxhinieres, që i fejuari i saj mund të merrte me qira një biçikletë ose motor dhe mund të shkonte në një supermarket për të blerë një test antigjen. Çifti deklaroi se përgjigjet e testit të dytë ishin negative dhe që autoritetet i komunikuan që ishin të lirë të largoheshin.

Ata përdorën përgjigjet e testeve që kishin bërë në Afrikën e Jugut për të hipur në avionin që nisej në Spanjë. Zëdhënësi i policisë Willem Gijtenbeek deklaroi se shtetasit e huaj u ndaluan për shkak se rrezikonin shëndetin e qytetarëve të tjerë.

Autoritetet shëndetësore lokale mohuan që i kishin dhënë leje çiftit që të largohej nga hoteli. Willem Gijtenbeek tha se ata u karantinuan me dëshirë, por që kishin përgjegjësinë ligjore që të mos largoheshin nga ambientet. Kryebashkiakja Marianne Schuurmans firmosi urdhrin emergjent, që çifti të ndalohej dhe që karantinimi i tyre të ishte i detyrueshëm.

Avokatja e tyre Bart Maetha deklaroi se do kërkojë dëmshpërblim për mënyrën si janë trajtuar klientët e saj. Ajo tha se do kërkojë lirimin e tyre për shkak se zonja Pimenta ka rezultuar vetëm një herë pozitive nga 5 testet që ka kryer.

Autoritetet lokale shëndetësore deklaruan që çifti do qëndrojë 5 ditë i izoluar, për shkak se zonja Pimenta rezultoi e infektuar me variantin e ri në momentin që i bënë testin ditën e premte. Inxhinierja deklaroi se ata janë trajtuar si kriminel në sytë e gjithë botës dhe që kjo ishte një gënjeshtër. Avokatja pret që ti shoqërojë klientët e saj në aeroport ditën e martë. / abcnews.al