Kamioni që punonin u rrëzua, policia për aksidentin në Vlorë: Viktimat janë dy të rinj. Nxirret trupi i dytë

schedule13:35 - 16 Maj, 2022

schedule 13:35 - 16 Maj, 2022

Policia e Vlorës ka dhënë detaje për aksidentin e rëndë të ndodhur paraditen e sotme në bypasin Orikum-Kaninë. Viktimat janë dy të rinj, të cilët punonin në ndërtimin e këtij aksi.

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë ndërruar jetë drejtuesi i kamionit shtetasi Armand Beu, 32 vjeç, banues në Kavajë dhe pasagjeri në kamion shtetasi Klajdi Kaja, 28 vjeç, banues në Lushnje.

Siç abcnews.al ka raportuar më herët, shkak i aksidentit tragjik me dy viktima dyshohet të ketë qenë shpejtësia. Drejtuesi i kamionit së bashku me pasagjerin kishin ngarkuar kamionin me zhavor dhe ishin duke zbritur nga zona e Kaninës për në Orikum.

Nuk dihet nëse ka pësuar defekt apo nuk kanë funksionuar frenat, por drejtuesi i automjetit i cili nga frika se mos dilte nga rruga dhe binte poshtë në humnere është kthyer në mes të rrugës dhe është përplasur me anën e shkëmbit.

Përplasja ka qenë shumë e fortë sa të dy trupat kanë dalë nga xhami i kamionit, dhe ngarkesa me zhavor i ka mbuluar të dy trupat. Ndërkohë, pas disa orësh është nxjerrë edhe trupi i dytë, i cili ishte i mbuluar me inerte.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion shtesë

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë më parë, ku në bypasin Orikum-Kaninë, është rrëzuar një kamion, sqarojmë se kanë ndërruar jetë drejtuesi i kamionit shtetasi A. B., 32 vjeç,banues në Kavajë dhe pasagjeri në kamion shtetasi K. K., 28 vjeç, banues në Lushnje.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe  po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

g.v/abcnews.al