Kadri Veseli në Tiranë: Kundër korrektimit

schedule18:54 - 12 Shtator, 2018

schedule 18:54 - 12 Shtator, 2018

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga dy zv/kryeministrat Limaj dhe Gashi u takua sot në Tiranë me aktorët kryesore politikë. Në fokus të diskutimeve ishte çështja e kufirit Kosovë-Serbi. Veseli deklaroi se territori i Kosovës është i panegociueshëm.

Në katër takime të njëpasnjëshme me aktorë të rëndësishëm të politikës në Shqipëri, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, konfirmoi qëndrimin e tij kundër korrektimit të kufirit Kosovë-Serbi.

Kadri Veseli: “Nuk kisha pasur dëshirë që askush nga ju mediat e nderuara, pretendimet serbe ti bartim në realitetin tonë. Ato nuk kanë vend, iu kemi dhënë përgjigjen e merituar atëhere kur është dashur. Tani Kosova, vendi ynë dëshiron veç paqe e fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet që kemi përreth, por shtetësia jonë është e panegociueshme për aq sa është territori.”

Por ndryshe nga delegacioni kosovar, pjesë e të cilit ishin edhe zv. kryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi, pala shqiptarë nuk shfaqi një qëndrim fiks mbi pranimin ose refuzimin e propozimit të presidentit kosovar Hashim Thaçi për ndryshim të kufinjve. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nënvizoi rëndësinë e një klime gjithëpërfshirëse mes kampeve politike në Kosovë.

Ilri Meta: “Në këtë proces të rëndësishëm kërkohet bashkëpunim shumë më i ngushtë me partnerët tanë strategjikë të angazhuar për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen europiane të rajonit”, tha Meta.

Pasi priti delegacionin kosovar, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, shprehu nevojën e unitetit politik për këtë çështje konbëtare.

Gramoz Ruçi: “Të arrihet marrëveshje që respekton territorialitetin e Kosovës. Aktorët poliikë në kosovë të jenë në unitet qëndrimi dhe veprimi. I ndan lufta për pushtet, por këtu bëhet fjalë për sovranitetin e Kosovës”.

Edhe kryeopozitari Lulzim Basha, nënvizoi se zgjidhja e çështjes qëndron tek bashkimi i faktorit politik.

Lulzim Basha: “Në këtë kohë sfidash për Kosovën dhe rajonin, zgjidhja është tek bashkimi i faktorit politik dhe qëndrimi i forcave politike në Kosovë për të shërbyer interesit kombëtare dhe interesit të popullit të Kosovës, mbi parimet e integritetit tërritorial, pacënueshmërisë së kufirit dhe përcaktimit të qartë të Kosovës për të ardhmen e saj si anëtare e NATO-s dhe BE-së. Ne shpresojmë se dialogu Kosovë-Serbi mund të bazohet vetëm në realitetin e njohur botërisht”.

Ndërsa ish-kryeministri, Sali Berisha, shprehu bindjen e tij për mocënim të integritetit territorial të Kosovës.

Sali Berisha: “Sovraniteti i Kosovës, është dhe nuk mund të jetë në asnjë lloj rrethane çështje diskutimi.”

Veseli dhe delegacioni që e shoqëroi mbërriti në Tiranë me ftesë të kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi./abcnews.al