Ish-ambasadori Arbër Çejku komenti kandidaturën e Wendt si i zgjedhuri i Trump për ambasador në vendin tonë. Çejku tha se profili i ambasadorit të ri lidhet ngushtë me përvojën në konfliktet e Lindjes së Mesme dhe pritet të përballet me sfida të rëndësishme rajonale.
Çejku theksoi se prioritetet e ambasadorit do të bëhen më të qarta pas konfirmimit në Senat, ndërsa prania e tij si ish-gjeneral lidhet edhe me dimensione të sigurisë dhe inteligjencës.
“I vetmi background ku mund të thellohemi është ai i konflikteve në Lindjen e Mesme; flet arabisht. Shqipëria ka dënuar Iranin me rezolutë, jemi pjesë e bordit të paqes; për herë të parë kemi bërë disa hapa që për vendet e tjera duken të vështira. Pika shtrohet se ky gjeneral që vjen këtu me këtë kapacitet do të ketë ballafaqime me disa sfida që lidhen me rajonin. Në Shqipëri, vërtet kemi pasur një linjë zyrtare pro Izrael, por nga ana tjetër kemi pasur edhe lëvizje dhe protesta që kanë mbështetur Palestinën dhe kanë qenë indirekt kundër Izraelit, deri në nota antisemitizmi.
Ne nuk e dimë se ku po shkojmë si vend dhe sa do të prekemI nga një ndryshim i interesave gjeostrategjikë. Kemi lëvizje tektonike të globit dhe të interesave dhe unë do diskutoja pas votimit nga Senati. Duhen parë prioritetet e tij dhe leximi nga kundërshtarë të tjerë; përtej mikpritësve do ketë edhe kundërshtarë të tjerë. Ardhja e një gjenerali në petkun e një ambasadori nuk e fsheh pavarësinë e tij nga shërbimet e inteligjencës dhe mbrojtjes.” / abcnews.al /


