Situata nuk është aspak e mirë në rajonin e Korçës. Temperaturat e ulëta kanë afruar acar dhe shumë fshatra janë të bllokuara dhe pa energji elektrike
Temperaturat kanë rënë në minus nëntë gradë në Korçë. Rajoni është përfshirë në acar.
Ngricat dhe akulli kanë shkaktuar probleme serioze. Të gjitha rrugët që lidhin Korçën me Qafë Thanën, Kapshticën dhe Leskovikun janë të hapura, por në disa segmente ka prezencë akulli dhe grumbullime të borës nga era e fortë.
Në Qafën e Qarrit, është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve, për shkak të shtresave të akullit, të cilat pavarësisht kriposjes së vazhdueshme, janë ende prezente në të gjithë gjatësinë e segmentit.
Me zinxhirë lëvizet edhe drejt Dardhës, ku rruga është e hapur vetëm në një sens dhe po ashtu edhe drejt Voskopojës.
Procesi mësimor nuk po fillon as në 12 shkollat e Mokrës në Pogradec, ku ndërhyrja për hapjen e rrugëve ka qenë e pamundur për shkak të trashësisë së borës, që ka arritur në 80cm. Bashkia e Korçes, ka ndërhyrë për të hapur rrugën që lidh Vithkuqin me fshatrat e tjerë të kësaj njësie administrative si dhe në Voskopojë dhe zonën rreth saj. Rruga e Lekasit, në të cilën u ndërhy të martën u bllokua sërish nga reshjet intensive të borës./abcnews.al
Gazetare e ABC News, Korçë: Daniela Zisi